Gazeta Si – Shtatë kg kokainë janë gjetur të fshehura në një furgon mallrash gjatë kontrollit në Portin e Durrësit.
Policia thotë se 7 pakot kishin brenda 7 kilogramë e 300 gramë kokainë, tashmë të sekuestruara. Gjithashtu u sekuestruan 4 celularë, fugoni, 3950 euro, 21 700 lekë, 150 korona suedeze dhe 60 franga.
“Nga kontrolli i imtësishëm, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, policia gjeti të fshehura në pjesën e poshtme të sediljes, në një vend të fshehtë të krijuar për këtë qëllim, 7 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë totale 7 kilogramë e 300 gramë”, – thuhet në njoftim.





Në pranga kanë rënë: A. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, shoferi i furgonit; M. Ç., 39 vjeç, banues në Tiranë, pronari i furgonit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kokainë, 4 celularë, fugoni, 3950 euro, 21 700 lekë, 150 korona suedeze dhe 60 franga.
Sipas burimeve, furgoni ipërket kompanisë “Bledi Travel”, e cila merret me transportimin e pakove për emigrantët në itinerarin Shqipëri-Itali-Angli. Kokaina ishte paketuar në qese vakumi për të mos u nuhatur nga qentë anti-drogë.
Kompania në fjalë rezulton e regjistruar në Angli dhe për këtë është kërkuar bashkëpunimi me homologët atje.
Skaneri ka zbuluar 7 pakot me kokainë poshtë sediljes së shoferit, një fund i dyfishtë në formë xhepi fundor që të ishte e vështirë të identifikohej nga policia.
Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.