Kombetarja

Kaos te Kombëtarja! Panucci shkatërron trashëgiminë e De Biasit

Miqësorja ndaj Ukrainës tregoi se ajo humbje 3-0 përballë Kosovës nuk ishte rastësi dhe në Kombëtaren Kuqezi janë rikthyer hijet e së shkuarës.

Shtatë gola në dy ndeshje, edhe pse miqësore, janë shumë, por ajo që e bën akoma më shqetësuese situatën në skuadër, kur kanë mbetur 3 muaj nga nisja e ndeshjeve për Ligën e Kombeve është paraqitja në fushë.

Ndaj Ukrainës u pa ajo që ndodhi në Zyrih kundër Kosovës. Pika më e fortë që la trajneri De Biazi, mbrojtja, në epokën Panucci nuk ekziston më. Mesfusha është kaotike dhe jo vetëm që nuk mbulon mirë hapësirat, por edhe në ato pak raste që përpiqet të avancojë në sulm e humbet topin menjëherë.

Christian Panucci e bëri të qartë që në fillim, që ndryshe nga De Biazi do të aplikojë një lojë sulmuese.

Mërgim Mavraj qorton skemat e trajnerit në konferencën për shtyp pas takimit me Ukrainën

“Trajneri na thotë të sulmojmë, por ne nuk qarkullojmë dot topin. Bëjme vetëm dy pasa dhe e humbasim direkt. Në mbrojtje nuk jemi asgjëkundi. Kemi qenë në gjendje të mbyllnim ndeshjet pa pësuar asnjë gol, por tani pësojmë shumë lehtë”, deklaronte në përfundim të ndeshjes me Ukrainën, mbrojtësi kuqezi, Mërgim Mavraj.

Shigjetoi skemat e teknikut italian, duke lënë të kuptohet se lojtarët nuk janë gati për një ndryshim të tillë, ndërsa u përgjigjet edhe akuzave të tifozëve.

"Është shumë vështirë, janë shumë gjëra që nuk funksionojnë. Me thënë të drejtën, asgjë nuk funksionoi. Nuk ecën as sistemi, as mënyra e lojës, as lojtarët si paraqiten, as vullneti as pasioni siç kemi qenë gjithmonë. Me pasion i kemi mbuluar disa gjëra, por të gjitha këto mungojnë. Nuk mund të thuhet që luajmë pa gjak. Ne nuk dorëzohemi. E kemi për detyrë t’i përgjigjemi kësa situate”, vijoi ai.

Momenti i vështirë i Kombëtares dhe Panucci-t u reflektua edhe në fund të takimit ndaj Ukrainës. Tekniku u fërshëllye nga tifozët, aq sa u detyrua që të braktisë intervistën e zakonshme për shtyp pas përfundimit.

Megjithatë, vetë italiani nuk e sheh situatën kaq gri. Për paraqitjet fajëson mungesat dhe mosaktivizimin e lojtarëve me ekipet përkatëse.

“Në Kombëtare nuk shoh asgjë kaq të rëndë dhe kaq katastrofike, sikurse duan që të duket. Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë negative, sepse skuadrës i kishte mbaruar benzina. Kishim shumë vështirësi, sepse ne nuk jemi Brazili apo Franca. Jemi pa Bashën, Xhakën, Memushajn, Grezdën, Sadikun. Mavraj ka 5 muaj që nuk luan, Memolla gjithashtu, kishte 5 muaj pa luajtur. Ukraina kishte të gjithë lojtarët e Shaktarit dhe të Dinamos së Kievit, pra kishte tjetër cilësi. Në këto momente, nëse nuk rikuperojmë të gjithë lojtarët e rëndësishëm, vuajmë shumë. Jam më se i bindur që kur të rikthehen futbollistët e rëndësishëm, ata që fituan në Turqi, ata që zhvilluan ndeshjen kundër Italisë dhe ata që gjuajtën drejt portës së Spanjës plot 15 herë, atëherë do të jemi konkurrues”, thotë ai.

Gëzim Sinemati

Por, kritikat nuk janë ndalur vetëm tek tifozeria. Analisti Gëzim Sinemati thotë se me Panucci-n gjendja e Kombëtares është rikthyer disa vite pas, në kohën kur e drejtonte Arie Haan, një skuadër pa ide, pa pasion dhe e mefshtë në fushë.

Kryeredaktori i Panorama Sport, Jetmir Halili deklaroi në “Procesi Sportiv” se duket qartë që Christian Panucci nuk gëzon besimin dhe as mbështetjen e një grupi lojtarësh brenda Kombëtares.

Miqësoret ikën dhe ajo që mbeti pas është shija e hidhur e dy humbjeve radhazi dhe plot shtatë gola të pësuar. Megjithatë, Panucci nuk ka kohë për të “vajtuar”. Atij i duhet që të gjejë sa më parë formulën fituese, ose më saktë, atë që e bën Kombëtaren sërish një ekip, para muajit shtator, kur nis përballja me Izraelin dhe Skocinë, për Ligën e Kombeve.

Para dy miqësoreve të humbura së fundmi, si Hysaj, ashtu edhe Mavraj shpreheshin optimistë për kalimin e grupit.

“Kemi treguar se jemi më mirë se Izraeli, ndërsa me Skocinë do të jetë një ndeshje më e fortë, por mund t’ja dalim mbanë”, deklaronin ata në janar të këtij viti.

Nga janari e deri më tani nuk ka kaluar shumë kohë, por kanë ndryshuar shumë gjëra. Kombëtarja është “në pikë të hallit” dhe si Mavraj, ashtu edhe Hysaj nuk duken më aq optimistë sa në janar.

Eshtë ende herët për të folur për një shkarkim të Panucci-t dhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka e konfirmoi italianin në stol, por zërat që e kërkojnë largimin e tij po bëhen akoma më kumbuese.

Megjithatë, gjërat nuk janë aq të thjeshta sa duken. Panucci ka një kontratë që e lidh me Shqipërinë deri në vitin 2020 dhe shkarkimi i tij do të kishte një kosto financiare për buxhetin modest të futbollit shqiptar, pasi FSHF do të detyrohej t’i paguante pagën për pjesën e mbetur të kontratës dhe njëkohësisht të paguante edhe trajnerin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë