Futboll

Kantona mund amerikanët, fiton 880 mijë euro dhe 4% të aksioneve

Legjenda e Mançester Junajtid, Erik Kantona ka fituar betejën ligjore për shkarkimin nga detyra e drejtorit teknik të Nju Jork Kosmos në mars të vitit 2014. Një betejë 4-vjeçare e ish-futbollistit të njohur francez me klubin amerikan, ku gjithçka nisi pas sherrit të Kantona me një fotograf.

Erik Kantona mund të rrijë i qetë tashmë, pasi do të mbyllë kapitullin me Nju Jork Kosmos, ku për tre vjet mbajti postin e drejtorit teknik, në periudhën 2011-2014. “Sun” bën me dije se gjykata i ka dhënë të drejtë Kantonasë dhe ai do të përfitojë një dëmshpërblim prej 880 mijë eurosh, si dhe një kuotë prej 4% të aksioneve të klubit amerikan, për shkak të shkarkimit të padrejtë. Francezi e ka treguar variantin e tij për ngjarjen me fotografin për “RL Radio”: "Po, jam zënë me një fotograf, që e konsideroja shumë të bezdisshëm. Kalova 3-4 orë në rajonin e policisë dhe më pas u ktheva në Paris. Ajo ngjarje më bezdisi pak, por tashmë jam mësuar”.

Erik Kantona

Klubi amerikan, me sa duket, e përdori këtë ngjarje për të larguar drejtuesin francez. "Pas arrestimit në mars të 2014-ës, Nju Jork Kosmos e ka ndërprerë kontratën me zotin Kantona", - shkruhej në komunikatën e ftohtë, me të cilën klubi amerikan mbylli raportet me kampionin francez. Por Kantona reagoi menjëherë dhe e çoi çështjen në gjykatë, duke pretenduar se amerikanët e larguan padrejtësisht dhe vetëm për të evituar njohjen e kuotës së tij si aksioner. Çështja është mbyllur ligjërisht me katër vjet vonesë dhe Kantona ka dalë i fituar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë