Futboll

Kanselo zihet me Guardiolën, largohet nga Siti dhe kalon te Bajerni

Gazeta Si – Zhoazo Kanselo do të lërë Mançester Sitin për të luajtur me Bajernin e Mynihut, ku do të kalojë në formulën e huazimit, me të drejtën e blerjes. Lajmi bëhet i ditur nga ‘The Athletic’.

Mbrojtësi anësor ka fluturuar drejt Gjermanisë për të kryer vizitat mjekësore. Kanselo do të qëndrojë në Bundesligë deri në fund të sezonit, më pas duhen 70 milionë euro që Bajerni ta blejë portugezin nga Siti.

Zhoao Kanselo te Mançester Siti. Gazeta Si, 30 janar 2023

Kanselo ka qenë një nga titullarët e palëvizshëm të Guardiolës në pjesën e parë të sezonit. Ai është aktivizuar si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë, ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë 5 asiste në 26 ndeshje të luajtura në të gjitha komepticionet. Pas Botërorit ka hasur vështirësi për formacionin, duke qëndruar 90 minuta në stol në 5 nga 10 ndeshjet e luajtura nga ‘qytetarët’.

Sipas ‘Daily Mail’, largimi i mbrojtësit ka lidhje me një përplasje me Guardiolën pas lënies në stol për të disatën herë. Një krisje që e ka detyruar Kanselon të kërkojë shitjen dhe ka marrë miratimin e klubit. Trajneri katalanas ka thënë shpesh se kush nuk është i lumtur është më mirë të largohet.

Bajerni ndërkohë siguron një mbrojtës anësor klasi dhe me shumë eksperiencë ndërkombëtare. Portugezi pritet ta ndihmojë trajnerin Nagelsman pas dëmtimit të Mazraouit dhe shitjes së mundshme të Pavard në verë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë