Atletike

Kamuoror thyen rekord në atletikë, analiza e një motoçiklete njerëzore!

Nuk ka më dyshim se vrapimi në rrugë është kthyer tashmë në disiplinën më të frekuentuar mes atyre të panoramës së atletikës. Thuajse çdo javë mësohen lajme për rezultate ta jashtëzakonshme kronometrike.

Rekordi i fundit është ai i një gjysmë maratone për meshkuj. Një rezultat fantastik, 58.01, i arritur në Kopenhagen nga 26-vjeçari nga Kenia, Gofri Kamuoror. Në të njëjtën garë, atleti afrikan ka përmirësuar edhe rekordet botërore të 15 kilometrave me kohën 41.05 dhe të 20 kilometrave me kohën e pabesueshme 55.00! Mesatarja e tij për një kilometër është 2 minuta e 45 sekonda. Vlen të theksohet se Kamuoror ka vrapuar çdo 100 metra për 16 sekonda e gjysmë. Mesatarja e tij për një orë është 21 kilometra e 700 metra. Një motoçikletë e vërtetë njerëzore.

Një rekord i vendosur në një gjysmë gare më të shpejtë se ajo e bashkombasit të tij, Abraham Kiptum, në vitin 2018, në Valencia. Pasi bëri 5 kilometra për kohën 13.53, pak më i shpejtë se 13.56 e Kiptum, Kamuoror e shtoi ritmin, duke fituar sekonda. Ai i bëri 5 kilometrat e tjera për kohën 13.41, kundrejt 14.06 të Kiptum. Fitoi kështu një avantazh prej 28 sekondash në garën për rekordin botëror. Koha erdhi duke u përmirësuar pas 15 kilometrash në 13.31 ndaj 13.35 të Kiptum, duke e çuar avantazhin në 32 sekonda. Në 5 kilometrat e tjera Kamuoror e ngadalësoi pak ritmin.

Gofri Kamuoror, pas rekordit të vendosur në Kopenhagen. Gazeta Si, 17 shtator 2019

Gofri Komuoror, i datëlindjes 1992, është një atlet i jashtëzakonshëm në çdo lloj terreni. Medalje argjendi në 2015-ën në Pekin, dy herë kampion bote i krosit në 2016-ën dhe në 2018-ën, tri herë kampion bote në gjysmë maratonë në vitet 2014, 2016 dhe 2018. Specialistët e vlerësojnë si kampionin e ardhshëm të maratonës botërore, pas Eliud Kipçoge, i cili është 8 vjet më i madh. Janë të shumtë ata që mendojnë se do të jetë ai rekordmeni i ri në maratonën 42 kilometra e 195 metra. Gara e radhës është maratona e Nju Jorkut, në fillim të nëntorit.

Rekordet botërore të gjysmë maratonës janë ratifikuar si të tillë që nga viti 2004. Rekordet para këtij viti konsideroheshin thjesht paraqitje të mira botërore. Gjatë 15 viteve të fundit janë regjistruar 7 rekorde, 3 nga fenomenali kenian Samuel Uanijru, i ndarë nga jeta në mënyrë tragjike në maj të 2011-ës.
Ja dhe rekordet e 15 viteve të fundit, që mbyllen me atë të Kamuoror:
59.16 Samuel Uanijru 2005
58.55 Haile Gebrselasie 2006
58.53 Samuel Uanijru 2007
58.33 Samuel Uanijru 2007
58.23 Zersenai Tadese 2010
58.18 Abraham Kiptum 2018
58.01 Gofri Kamuoror 2019


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë