Katar 2022

Parada e kampionëve/ Turma bllokon autobusin, duhet helikopteri për ekipin

Gazeta Si – Festa e Argjentinës për titullin e 3-të kampion bote në histori ka nisur. Pas këngëve e valleve në dhomat e zhveshjes dhe përqafimeve në aeroport pas kthimit në atdhe, Argjentina ka nisur paradën me Kupën e Botës në rrugët e Buenos Airesit.

Janë milionë tifozë në delir për këtë trofe të shumëpritur. Sheshi i lapidarit është boshatisur pas lajmit se autobusi i hapur me lojtarët heronj nuk do të shkojë aty. Tifozët kanë pushtuar autostradën, që është bllokuar krejtësisht.

Prej 24 orësh tifozët kanë pritur Mesin dhe shokët e tij mes gëzimit, lotëve dhe këngëve. Pasi mbërritën në Argjentinë, kampionët e botës pushuan për disa orë. Tani ata po përshëndesin njerëzit në rrugë, sipas cirkuitit që është vendosur nga organizatorët e kësaj parade.

Bashkë me autobusin udhëton edhe Kupa e Botës, që do të shihet nga afër nga deti i tifozëve gjatë 30 kilometrave që do të bëjë skuadra deri në objektivin final. Por ka qenë e pamundur që autobusi të lëvizte përmes asaj turme të stërmadhe njerëzish.

Shtypi argjentinas shkruan se në rrugë kanë dalë më shumë se 4 milionë tifozë, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve dhe autobusit me kampionët e botës. Në këto kushte, është menduar që skuadra dhe stafi teknik të hipin në helikopter për të shkuar në qendër të kryeqytetit. Autobusi ka mbetur në mes të autostradës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë