Futboll

Kampionati nis me incident, goditet Seferi në Kukës

Gazeta Si - Nuk ka fitues në “Kukës Arena”, në ndeshjen e parë të kampionatit 2022-2023, ku nuk munguan incidentet. Kukësi dhe Tirana kanë barazuar 1-1 në një 90-minutësh me emocione dhe me më pak tifozë nga sa ishte menduar. Por vëmendjen e ka marrë episodi i goditjes së Taulant Seferit nga tifozët e Kukësit.

Sulmuesi i Tiranës u godit me shishe uji në kokë. Reaguan menjëherë lojtarët e Kukësit, duke u kërkuar tifozëve të tyre të ndalin veprimet e tilla të turpshme. Loja rifilloi pas pak çastesh, ndërsa ky episod është material për Komisionin e Disiplinës.

Momenti kur Seferi u godit në kokë me shishe. Gazeta Si, 19 gusht 2022

Vetëm pas 3 minutash, Klejdi Daci kaloi Kukësin në avantazh, duke mposhtur në dyluftim mbrojtësin Behiraçe dhe pastaj portierin Bekaj me një parabël. Nisja që do të donin kuksianët për këtë ndeshje, ndërsa Tirana pësoi një goditje psikologjike.

Ismailgeci dhe Kallaku shpërdoruan raste shumë të mirë për golin e barazimit. Më pas trajneri Orges Shehi ndërhyri nga stoli pa u mbyllur pjesa e parë, duke hequr Behiraçen për të futur në fushë Imerin.

Tirana barazoi me Xhixhën në pjesën e dytë, në zhvillimet e një goditjeje këndi. Gjatë 20 minutave të fundit Kukësi luajti me 10 vetë, sepse Daci, autori i golit, u ndëshkua me karton të kuq për një goditje të qëllimshme të kundërshtarit.

Kampionët në fuqi nuk mundën ta shfrytëzonin superioritetin numerik dhe kështu nuk morën më shumë se një pikë në ndeshjen hapëse të kampionatit. Një start me ‘frena dore’ për kryeqytetasit.

Java e parë e Superiores vazhdon të shtunën dhe të dielën me ndeshjet Partizani-Egnatia, Erzeni-Vllaznia, Bylis-Kastrioti dhe Laçi-Teuta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë