Kombetarja

Kamberi flet si kuqezi: Shqipëria tregoi interes, e kisha të lehtë

Ishte radha e Florian Kamberit dhe Hysen Memollës të dilnin para gazetarëve. I pari vesh për herë të parë fanellën e Kombëtares së Shqipërisë dhe, siç e pohon edhe vetë, nuk e ka pasur aspak të vështirë zgjedhjen, pasi kuqezinjtë patën interes konkret, ndryshe nga Kosova dhe Zvicra. Pritet që trajneri Reja të aktivizojë të paktën në një nga dy ndeshjet e radhës me Andorrën dhe Francën.

“Jam shumë i lumtur, te Shqipëria më kanë pritur shumë mirë që ditën e parë. Ishte e lehtë për mua të zgjidhja Shqipërinë, sepse ajo kishte më shumë interes. Për këtë arsye vendosa të luaj për Shqipërinë. Në Skoci e kam thënë se dua të stabilizohem në një ekip dhe ishte e lehtë ta vendosja për Shqipërinë. Kam gjetur një ambient shumë të mirë. Jam i gatshëm të luaj titullar, jam në formë, por është puna e dokumenteve që nuk është në dorën time. Persona të tjerë po merren me këtë punë, personalisht e ndjej veten gati të luaj. Me trajnerin Reja nuk kam biseduar. E di që ai luan me skemën 3-5-2 dhe unë jam mësuar të luaj me dy sulmues. Zgjedhjet pastaj i bën trajneri”, - ka thënë mes të tjerash në konferencën e parë si kuqezi sulmuesi Kamberi. Ai është risia e trajnerit Reja për dy ndeshet me Francën dhe Andorrën. 24-vjeçari luan me Hibernian në kampionatin skocez.

Memolla dhe Memushaj. Gazeta Si, 12 nëntor 2019

Bashkë me Kamberin ka dalë në konferencë edhe Hysen Memolla, mbrojtësi i krahut të majtë që luan në Finlandë aktualisht, i grumbulluar më parë si nga Panuçi, ashtu edhe nga Reja. “Në Kombëtare duhet të japim gjithmonë 100% nga vetja. Ne shohim punën tonë, zgjedhjet i bën trajneri. Konkurrenca është diçka pozitive dhe në të majtë mund të luajmë unë, Lenjani ose Trashi. Dua ta ndihmoj ekipin sa më shumë. Nuk është se kam luajtur shumë me skemën 3-5-2, por besoj se mund të përshtatem. E kam provuar më parë me Panuçin dhe nuk është problem”, - u shpreh Memolla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë