Futboll

Kalon shqetësimet shëndetësore, Maradona rikthehet si trajner

Tani nuk ka më frikë për shëndetin e tij. Diego Armando Maradona do të rikthehet në fushat e blerta, duke i riveshur tutat e trajnerit. Argjentinasi që pak muaj më parë deklaroi tërheqjen nga drejtimi i skuadrës meksikane, Dorados De Sinaloa, tashmë do të marrë drejtimin e një ekipi në Argjentinë.

Gimnasia La Plata është ekipi që do të jetë në duart e Maradonës dhe prezantimi është bërë vetëm mbrëmjen e së enjtes. Klubi që militon në elitën argjentinase të futbollit momentalisht është në vendin e fundit në tabelë.

https://twitter.com/gimnasiaoficial/status/1169702345371992064

Sipas medieve argjentinase, Maradona tashmë i ka tejkaluar problemet me shëndetin që pati në muajin maj. Argjentinasi do të ketë misionin kryesor që të mbajë këtë ekip në superligën argjentinase. Bashkë me të në këtë aventurë të re do të jetë edhe djali i tij Maradona Jr, i cili pritet të jetë pjesë e stafit, në rolin e analizuesit të ndeshjes përmes pamjeve filmike.

Maradona do të ketë një start të egër me ekipin e tij të ri. Në javën e katërt të kampionatit “El Pibe D’oro” do të përballet me River Plate, të cilin ai e ka shprehur disa herë që e ka ekipin më të urryer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë