Futboll

Kalendari i Serisë A, të mëdhatë përplasen që në start

Është mësuar sot kalendari për sezonin e ri futbollistik në kampionatin italian, Seria A. Shorti i hedhur në ambientet e Federatës Italiane ka rezervuar përballje shumë interesante që në javën e parë.

Kështu, Juventus do ta fillojë misionin drejt titullit kampion të 9-të radhazi nga Parma në një sfidë që pritet të tregojë forcën e Juventusit të ri me Mauricio Sarrit në krye. Napoli dhe Interi do ta nisin sulmin e tyre për të rrëzuar Juventusin nga froni me ndeshje relativisht të thjeshta. Skuadra e Ançelotit do të ndeshet me Fiorentinën që këtë vit ka një pronar të ri, ndërsa Interi i Kontes do të presë në San Siro Leçen e ngjitur këtë vit në elitë.

Për Milanin sezoni do të fillojë me Udinezen që pritet të jetë një provë serioze për të parë forcën e këtij ekipi. Ndërkohë dy ekipet e kryeqytetit, Roma dhe Lacio do të ndeshen me dy ekipet gjenoveze, Xhenovën dhe Sampdorian.

Ndeshja e parë e madhe e këtij sezoni të Serisë A do të jetë që në javën e dyte, kur Napoli do të masë forcat me Juventus. Sarri do të ndeshet për herë të parë me ish-ekipin e tij, ku drejtoi për disa vite dhe që këtë sezon pritet të jetë rivali numër një në luftën për titullin kampion. Java e dytë do të jetë shumë e zjarrtë, pasi do të luhet edhe derbi roman, me të dyja ekipet, Lacio dhe Roma që këtë edicion janë shumë të uritura për sukses.

Sakaq derbi i parë i Milanos do të luhet në javën e katërt. Inter do e presë Juventusin në javën e 7-të, ndërsa Milan do i presë kampionët në javën e 12-të. Sezoni i ri i kampionatit italian do të fillojë në 24 gusht, dhe do të përfundojë në 24 maj.

Kalendari i Serisë A për të gjitha javët


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë