Futboll

Kalabrezi i emigruar në SHBA ble klubin e njohur të Serisë A

Shumë klube të Serisë A në vitet e fundit kanë ndryshuar pronarët. Investitorë të huaj kanë hyrë në Itali, duke marrë pronësitë e Interit, Romës, Milanit, së fundmi edhe të Fiorentinës. Klubi nga Firencë që për vite me radhë u kontrollua nga familja Della Valle, tashmë i ka kaluar në dorëzimin italo-amerikanit, Roko Kommiso. 69-vjeçari është një histori suksesi e emigracionit italian në SHBA dhe rikthehet të investojë në vendin e orgjinës së tij në një fushë me një risk shumë të madh, siç është futbolli. Nuk ka ende një shifër zyrtare lidhur me shumën e shpenzuar për të blerë klubin vjolë, por besohet se operacioni i ka kaluar 180 milionë eurot.

"Sapo nënshkruam, çdo gjë në rregull? I shqetësuar? Ndoshta, sepse unë jam një gangster. Në fakt unë nuk jam nga Firence, por Fiorentina në zemrën time për një kohë të gjatë. Që nga viti 2016 kam dashur ta marr këtë klub.”- ka thënë Kommiso në fjalët e para si pronar i ri i Fiorentinës, ku nuk i evitoi edhe batutat. "Kam takuar vëllezërit Della Valle, të cilët ishin të mrekullueshëm. Të gjithë emrat që janë përfolur këto ditë nuk janë real, por ne duhet të lëvizim shpejt sepse sezoni do të fillojë përsëri brenda një muaji. Tani Firence ka një sfidë të re. "Do të takohemi me krerët politikë, kryebashkiakun Nardella. Pastaj me ekipin dhe stafin teknik. Unë do të sjell në Firence pasionin tim, origjinën time italiane, dëshirën për të bërë mirë, unë jetoj dhe vdes për ekipin kombëtar, pasi kam jetuar gjithmonë me mall që nga koha kur u largova nga Italia.”

Tashmë për Fiorentinën besohet se do të hapet një kapitull i ri. Klubi nga Firence këtë sezon i shpëtoi për mrekulli rënies nga kategoria, por këtë verë pritet që të përfshihet nga një fushatë e fuqishme blerjesh. Misioni i ri për pronarët e rinj italo-amerikan do të jetë mbajtja në Firence e Frederiko Kiezës. Sulmuesi i talentuar ndiqet me interes të lartë nga Juventus dhe Inter, por Komiso ka thënë më herët se rreth Kiezës do të ndërtohet projekti i ri i Fiorentinës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë