Kombetarja

Kaçe në vend të Xhakës, mesfushori i Bazelit bëhet sërish çështje

Taulant Xhaka ishte në listën e trajnerit Reja për ndeshjet me Andorrën dhe Francën, por trajneri italian duhet ta zëvendësojë emrin e tij me një tjetër. Sipas të gjitha gjasave, me atë të Ergys Kaçes. Xhaka nuk është bashkuar me kuqezinjtë ditët e para të stërvitjes dhe në një komunikim që ka pasur me drejtuesit e Kombëtares u ka bërë të ditur se ka një problem muskulor. Mund të jetë kështu, por gjithsesi Xhaka duhej të paraqitej në Durrës, sipas rregullit.

Shqetësimi muskulor duket një arsye sa për të thënë, pasi logjika të çon në një “marrje hak” të mesfushorit të Bazelit për lënien në listën e pritjes për dy ndeshjet e fundit me Turqinë dhe Moldavinë. Xhaka, titullar dhe së fundi edhe kapiten i Bazelit, një nga elementët e rëndësishëm të Kombëtares vitet e fundit, është ndjerë i fyer. Nuk ka dyshim. Në atë kohë ai nuk polemizoi dhe me sa duket, e ka vuajtur në heshtje atë “injorim”. Xhaka njihet për temperamentin e tij shpërthyes, pasi edhe herë tjetër është bërë çështje në Kombëtare. Ndoshta ai mund të ketë menduar se mund të qëndrojë në stol në ndeshjet e radhës, pasi Reja e ka fiksuar treshen e mesfushës me Baren, Gjasulën dhe Memushajn, ndërkohë që kthehet edhe Ndoj. Në këtë situatë, mesfushori ka preferuar të “rikuperohet”, pasi një tjetër qëndrim i mundshëm në stol do t’ia shtonte inatin.

Kaçe, Cana dhe Xhaka, në stërvitje me kuqezinjtë. Gazeta Si, 13 nëntor 2019

Vendin e Xhakës pritet ta zërë Ergys Kaçe, i cili ka treguar një formë të mirë me Larisën në kampionatin grek. Ka ndodhur shpesh në të kaluarën që Kaçe të thirret pas shpalljes së listës për të zëvendësuar lojtarë që kanë pasur probleme fizike. Madje, nga jashtë liste, korçari e ka nisur titullar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë