Politike

Ka zgjedhje edhe për kryetarin e PD por askush nuk po ua vë veshin  

Partia Demokratike vendosi zgjedhjet për kryetarin e ri të partisë më 29 korrik.

Ky vendim është bojkotuar nga 17 deputetë të Partisë Demokratike që drejtohen nga Gazment Bardhi i cili zyrtarisht është edhe kryetari i grupit parlamentar.

Bardhi (në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm) është shprehur se vendimi është anti-statutor, por pjesa tjetër e strukturave drejtuese i ka mbyllur formalitetet fillimisht me kryesinë, më pas Këshillin Kombëtar për të përligjur zgjedhjet në fund të korrikut.

Është ngritur gjithashtu komisioni zgjedhor dhe janë shpallur dy kandidatët; Lulzim Basha dhe Gjergji Hani.

I vetmi takim mes tyre ishte në Vlore ku Hani e cilësoi gjithë bashkëbisedimin një teatër politik pa thelb.

Qysh prej atëherë, Basha ka përsëritur në cdo takim tezat e tij që (më herët) janë rrëzuar nga mazhoranca; vettingu në politikë, listat e hapura, vota e diasporës, kufizim i mandatit të kryeministrit dhe zgjedhja e Presidentit nga Populli   

Skandalet e njëpasnjëshme nga kampi i mazhorancës, debati protagonist i opozitës në Kuvend i drejtuar nga deputetët e Berishës dhe Bardhit, pasiviteti i skajshëm i 7 deputetëve që mbështesin Bashën ka sfumuar thuajse plotësisht procesin zyrtar në parti.

Lulzim Basha po rreket të përsërisë të njëjtat teza që minimalisht kërkojnë konsensus nga kampi i PS-së, Berisha në anën tjetër nuk e kursen duke e cilësuar si “peng” të Ramës, Bardhi po ashtu që nuk i jep as dorën (Bashës) kur e sheh në Kuvend, e kanë kanalizuar debatin për kreun e ri në një proces formal dhe fars që do të mbyllet me Lulzim Bashën kryetar, ajo që në fakt paralajmëroi gjithë zhvillimi  i mëvonshëm në PD se ai nuk ishte larguar ‘defacto’ nga drejtimi i partisë.

Ndaj dhe pakkujt mund t’i tërheqë vëmendjen ky proces i përsëritur dhe i paralajmëruar. Ka mjaftueshëm nga kampi tjetër qoftë brenda PD-së ashtu edhe nga ai kundërshtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë