Shendet

Ka një rritje të pashpjegueshme të rasteve të kancerit te moshat e reja

Një numër në rritje i të rinjve në botën e zhvilluar po diagnostikohen me kancer dhe shkencëtarët nuk janë të sigurt pse.

30 vitet e fundit mjekët kanë parë një rritje të rasteve të kancerit në "fillim të hershëm" në moshën nën 50 vjeç. Kaq e theksuar është rritja, saqë epidemiologët kanë sugjeruar se duhet quajtur epidemi.

Analiza e Financial Times e të dhënave nga Universiteti i Uashingtonit tregon se gjatë tre dekadave të fundit shkalla e kancerit në grupin e vendeve të industrializuara është rritur më shpejt për 25-29-vjeçarët sesa çdo grupmoshë tjetër. Normat për 20-34-vjeçarët në këto vende janë tani në nivelin më të lartë në 30 vjet.

Nga ana tjetër, rastet në grupmoshat më të vjetra, ato mbi 75 vjeç, kanë rënë nga kulmi i tyre rreth vitit 2005.

Studiuesit nuk kanë asnjë shpjegim përfundimtar përse njerëzit në kulmin e jetës duket se janë dukshëm më të prekshëm ndaj sëmundjes sesa moshatarët e tyre në gjeneratat e mëparshme.

Midis 15-39-vjeçarëve, rastet e kancerit kolorektal u rritën me 70 për qind në vendet e G20 midis 1990 dhe 2019, krahasuar me një rritje prej 24 për qind në të gjitha kanceret, zbuloi hulumtimi i FT.

Analiza nga Shoqata Amerikane e Kancerit bazuar në të dhënat kombëtare mbi incidencën dhe vdekshmërinë e kancerit sugjeron që këtë vit 13 për qind e rasteve të kancerit kolorektal dhe 7 për qind e vdekjeve janë te njerëzit nën 50 vjeç.

Michelle Mitchell, shefja ekzekutive e Cancer Research UK (CRUK), paralajmëron se mosha mbetet parashikuesi më i madh i rrezikut të kancerit, me rreth 90 për qind të të gjithë kancereve që prekin mbi 50 vjeç dhe gjysmën që prekin ata mbi 75 vjeç.

Por rritja e grupmoshave më të reja është gjithsesi “një ndryshim i rëndësishëm”.

“Ne duhet ta kuptojmë këtë ndryshim”, thotë ajo. CRUK ka nisur një studim të përbashkët kërkimor me Institutin Kombëtar të Kancerit të SHBA-së për të mësuar më shumë rreth shkaqeve të kancerit të hershëm.

Trendi ka implikime ekonomike, klinike dhe sociale. Për mjekët, rritja e rasteve të tilla po bëhet një aspekt i pashmangshëm dhe shqetësues.

Shahnawaz Rasheed, kirurgu përgjegjës për trajtimin e kancerit në Royal Marsden, një spital i njohur i kancerit në Londër kujton një periudhë dy javore disa vite më parë kur ai operoi katër gra nën 40 vjeç. Një pacient tjetër i kohëve të fundit ishte një sportiste ndërkombëtare rreth të 30-tave.

Diagnozat tek të rriturit e rinj e shqetësojnë shumë Rasheed dhe e shtyjnë të zbulojë më shumë se përse po ndodh diçka e tillë.

“Janë njerëz që duhet të vazhdojnë jetën, të krijojnë familje, të kenë fëmijë. Më thyhet zemra kur i shoh të vuajnë nga kanceri”, thotë ai.

Shkencëtarët që kërkojnë të dhëna për këtë çështje janë gjithnjë e më të bindur se ndryshimet në të ushqyerit dhe mënyrat e jetesës janë pikat kyce ku duhet të fokusohen.

Frank Sinicrope, onkolog dhe gastroenterolog në Klinikën Mayo në SHBA thotë se incidenca e sëmundjes është rritur ndjeshëm tek njerëzit e lindur në, ose pas, viteve 1960. Shtimi i të rinjve që shkojnë tek ai për trajtim vitet e fundit ka qenë “mjaft alarmante”.

Dieta dhe mënyra e jetesës ndaj të cilave fëmijët janë të ekspozuar në jetën e hershme ka të ngjarë të jetë një faktor në rritje, thotë ai, duke vënë në dukje obezitetin në fëmijëri, i cili "është bërë më i përhapur dhe më problematik gjatë 30 viteve të fundit". Megjithatë, asnjë faktor i vetëm nuk mund ta shpjegojë atë, shton Sinicrope.

Ndërsa eksplorojnë një lidhje me dietën, studiuesit po kërkojnë mundësinë që ndryshimet në mikrobiomën, mikrobet që jetojnë brenda nesh, kryesisht në zorrë po rrisin ndjeshmërinë ndaj kancerit.

Mikrobioma mendohet se luan një rol kyç në shëndetin e përgjithshëm, duke përfshirë tretjen dhe rregullimin e sistemit imunitar, si dhe mbrojtjen kundër baktereve që shkaktojnë sëmundje dhe ndihmon prodhimin e vitaminave vitale.

Konsumimi i ushqimeve të pasura me yndyrna të ngopura dhe sheqer besohet se ndryshon përbërjen e mikrobiomës në mënyra që mund të dëmtojnë shëndetin e një individi. Ndërsa këto ndryshime prekin njerëzit e të gjitha moshave, studiuesit besojnë se është shumë domethënëse që rastet e kancerit me fillimin e hershëm filluan të rriteshin rreth vitit 1990. Njerëzit e lindur në vitet 1960 i përkisnin brezit të parë të ekspozuar që foshnje ndaj dietave të modernizuara, si dhe ndryshimeve të stilit të jetesës dhe mjedisit, që filloi të bëhej norma e botës së pasur në vitet 1950.

Kanceri shpesh zhvillohet gjatë dekadave dhe njerëzit mund të mbajnë tumore me rritje të ngadaltë për vite, kështu që për ata që janë diagnostikuar në të njëzetat, të tridhjetat dhe të dyzetat “disa nga ekspozimet ndaj faktorëve të rrezikut mund të kenë ndodhur kur ishin foshnje apo edhe në barkun e nënës”, thotë Profesor Shuji Ogino, epidemiolog në Harvard.

Fakti që rritjet më të mëdha të kancerit tek të rinjtë kanë qenë në varietetet kolorektal, si dhe në ezofag, stomak, pankreas, mëlçi dhe fshikëz e tëmthit, forcon idenë se ka një lidhje me dietën.

Disa lloje të tjera kanceri që po shihen gjithnjë e më shumë tek të rinjtë, si kanceri i gjirit apo veshkave mund të preken si nga obeziteti ashtu edhe nga gjendja e mikrobiomës.

Për më tepër, përdorimi i antibiotikëve dhe medikamentet në përgjithësi mund të ndikojnë në mikrobiomën e një individi.

Ogino thekson se gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, gama e ilaçeve të disponueshme për trajtimin e problemeve të shumta u rrit ndjeshëm. Ilaçet e reja kundër obezitetit janë një shembull i kohëve të fundit.

“Efekti afatgjatë i këtyre ilaçeve mbetet i panjohur”, thotë Ogino.

Ai tregon për ndryshime të tjera që ndodhën nga vitet 1950 e tutje: më shumë mënyra jetese sedentare, ndryshime në modelet e gjumit dhe ekspozimi i përsëritur ndaj dritës së ndritshme gjatë natës që mund të ndikojë në ritmet cirkadiane dhe metabolizmin.

“Të gjitha këto ndryshime po ndodhin në një mënyrë vërtet paralele, kështu që është e vështirë të gjesh ‘fajtorin’. Ka të ngjarë të ketë shumë fajtorë që punojnë së bashku”, thotë ai.

Shtimi i kancerit me fillimin e hershëm nuk është thjesht një shqetësim për sistemet shëndetësore. Është problem edhe për ekonomitë. Ata që i mbijetojnë sëmundjes janë në rrezik më të madh të shqetësimeve afatgjata si infertiliteti, sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceret dytësore, thonë studiuesit, duke sjellë barrë më të kushtueshme të kujdesit shëndetësor në të ardhmen.

"Duke parë tendencën, do jetë një problem i madh edhe për ekonominë sepse ne po humbasim njerëz në popullsinë në moshë pune që mund të kontribuojnë në rritjen ekonomike”, thotë Chen.

Pyetja që preokupon studiuesit dhe mjekët është nëse rritja e rasteve gjatë dekadave të fundit përfaqëson majën e një ajsbergu shumë më të madh epidemiologjik.

Në punimin e tyre kërkimor, studiuesit paralajmëruan për mundësinë që ata që janë aktualisht fëmijë, adoleshentë dhe të rinj mund të kenë rreziqe më të larta të kancerit gjatë gjithë jetës së tyre krahasuar me gjeneratat e vjetra.

Dhe mund të mos ndalet te kanceri. Të njëjtët faktorë rreziku mund t'i rrezikojnë ata ndaj sëmundjeve si diabeti dhe sëmundja inflamatore e zorrëve.

Burimi: Financial Times. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë