Teknologji dhe Inovacion

Ka ndërmarrje në Shqipëri që nuk përdorin ende kompjuterin, internetin apo mediat sociale

Ndërmarrjet në Shqipëri ende nuk janë digjitalizuar plotësisht, as brenda strukturave operuese. Përdorimi i kompjuterit në bizneset me më shumë se 10 punonjës nuk është ende në nivelin 100%, por 98.5% për vitin 2021, me një rritje 0.2% nga 2020.

Për të njëjtin vit, vetëm 27.8% e të punësuarve në total kanë përdorur kompjuterin për qëllime pune, me rritje 0.6% nga 2020.  Ata që e përdorin më shumë janë të punësuar në aktivitetin e informacionit dhe komunikimit me 75.2 %, e ndjekur nga aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 62.7 %.

Sipas Instat gjatë këtij viti, 13.3 % e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura për tregti të produkteve.

Pjesën më të madhe të tregtisë online e zënë shërbimet e informacionit dhe komunikacionit me 32.2%, më pas akomodimi dhe shërbimi i ushqimit me 29% dhe shërbime administrative dhe mbështetëse me 26.1%.

Vetëm 45% e ndërmarrjeve kanë një faqe interneti dhe 92.8% e tyre e kanë përdorur për shfaqje të katalogëve, profukteve dhe çmimeve. 38.3% e kanë përdorur për marrje porosie, rezervime apo prenotime online.

Përdorimi i software-it për menaxhimin e marrëdhënieve me klientët (CRM) është përdorur nga 24.8 % e ndërmarrjeve gjatë vitit 2021 nga 22.5 % që rezultoi në vitin 2020.

Shërbimet cloud të cilat u referohen shërbimeve që përdoren në internet për të aksesuar programe kompjuterike, kapacitete ruajtëse, etj janë përdorur nga 20.7 % e ndërmarrjeve që kanë akses në internet nga 18.2 % në 2020.

Printimi 3D, i cili i referohet përdorimit të printerave të veçantë nga ndërmarrjet ose përdorimi i shërbimeve të printimit 3D të ofruara nga ndërmarrjet e tjera me qëllim krijimin e objekteve fizike tre-dimensionale duke përdorur teknologjinë digjitale, është përdorur nga 6.0% e ndërmarrjeve gjatë vitit 2021, nga 5.5% në vitin 2020.

Media sociale (Facebook, Linkedln,Twiter, Youtube, Pinterest etj.) është përdorur nga 69.0 % e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me akses në internet, nga 66.6 % që ishte në vitin 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë