Futboll

Juventusi zyrtarisht kampion, rekord me 8 tituj radhazi

Juventusi ka lënë pas zhgënjimin e Championsit dhe pas fitores 2-1 ndaj Fiorentinës, është shpallur zyrtarisht kampion i Italisë. Një titull i fituar 5 javë para mbylljes së kampionatit, i merituar plotësisht. Titulli i 35-të në historinë e lavdishme të skuadrës bardhezi, i 8-i radhazi.

Juventusi u gjend në vështirësi, kur Milenkoviç kaloi Fiorentinën në avantazh që në fillim të ndeshjes, por goli i Aleks Sandos dhe autogoli i Pecelës bënë që skuadra e Alegrit të mos e humbte mundësinë për të festuar me tifozët e saj që në javën e 33-të të kampionatit. Duartrokitje në fund për Juventusin, por edhe për Fiorentinën dhe në veçanti për Federiko Kiezën, ëndrrën e mekarots së verës për bardhezinjtë. Me titullin e 8-të radhazi, Juventusi vendos një rekord sa u takon titujve radhazi në 5 kampionatet më të fortë në Europë. Kampionët e Italisë thyejnë rekordin e Lionit në Francë me 7 tituj radhazi në periudhën 2001/02-2007/08.

Lojtarët e Juventusit festojnë titullin kampion me tifozët pas fitores 2-1 me Fiorentinën

Kristiano Ronaldo ka fituar titullin kampion në Itali që në sezonin e parë me Juventusin, duke qenë protagonist absolut. Portugezi ka festuar bashkë me ekipin dhe për shtypin është shprehur se sezoni i ardhshëm do të jetë më i mirë, duke qetësuar kështu tifozët e Juventusit, të cilët ishin vënë në merak, pas dështimit të skuadrës në Champions. Titulli nuk është vënë në diskutim për asnjë moment nga Juventusi, që ka një diferencë të frikshme prej 20 pikësh me Napolin e vendit të dytë. Pritej vetëm që matematika ta zyrtarizonte këtë ekip si kampion dhe kjo ka ndodhur para Pashkëve. Festa në Torino është e dyfishtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë