Futboll

Juventusi vret kampionatin, Hysaj: Tani jemi në garë vetëm për Europa League

Mund ta quajnë që tani të mbyllur historinë e kampionatit italian sa i përket çështjes së vendit të parë. Juventus pas fitores së mbrëmshme me Napolin 1-2 është shkëputur me 16 pikë diferencë nga vendi i dytë që mbahet pikërisht nga napolitanët. Edhe pse provoi deri në fund të paktën për të marrë një barazim përballë “Zonjës së Vjetër”, Napoli nuk ia doli që ta frenonte vrullin e Ronaldos me shok.

Tashmë me mbylljen e kësaj mundësie në kampionat Napoli ka vetëm një variant për të dalë me një titull dhe ai është në Uefa Europa League. Pas ndeshjes me Juventusin në “San Paolo” ka folur edhe mbrojtësi shqiptar i Napolit, Elseid Hysaj. Hysaj edhe në këtë përballje nuk ka luajtur në pozicionin e tij natyral dhe vlerësimi nga mediet italiane ka qenë ndër më të ultët. Menjëherë pas ndeshjes, mbrojtësi shqiptar ka bërë apel për të gjithë që të fokusohen në ndeshjen e radhës në Europa League ndaj Salzburgut.

“Aktualisht, për ne tashmë është një objektiv i rëndësishëm Liga e Europës dhe po mendojmë për ndeshjen ndaj Salzburgut. Pasi të përfundojmë atë ndeshje, do të mendojmë për ndeshjet e radhës. Në ndeshjen ndaj Juventusit, ishim vetëm ne ata që luajtëm në pjesën e dytë dhe më vjen keq që nuk arritëm të shënonim më shumë gola pasi do të kishim fituar takimin.”- ka thënë Hysaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë