Futboll

Juventusi nuk fal, Milani rrezikon seriozisht Championsin

Dibala me penallti dhe Kin në fundin e ndeshjes zhvlerësuan golin e të zakonshmit Piatek. Milani ka dalë i mundur edhe në Torino, ku i kishte të gjitha mundësitë për të marrë të paktën një pikë. Juventusi ka fituar 2-1, duke e çuar në 21 pikë diferencën me Napolin e vendit të dytë. Skuadra e trajnerit Msimiliano Alegri, edhe pa Kristiano Ronaldon dhe disa titullarë të tjerë, të cilët janë ruajtur për sfidën me Ajaksin në Champions, nuk ka falur edhe këtë radhë.

Pa Donarumën dhe Paketën, trajneri Gatuzo e kishte mjaft të vështirë për formacionin, por arriti të rikuperonte në kohë mesfushorin Kesi dhe sulmuesin spanjoll Suso. Polaku Kristof Piatek realizoi 6 minuta para mbylljes së pjesës parë dhe Milani shkoi entuziast në dhomat e zhveshjes për pushimin e ndeshjes. Megjithatë, nuk mundi të ruante rezultatin. Një ndërhyrje e Muzakios në zonë u vlerësua e parregullt dhe Dibala ktheu në gol penalltinë e fituar nga ai vetë. Trajneri Alegri hodhi në fushë më pas edhe “kartën fituese”, sulmuesin e ri Moise Kin, i cili gjeti golin e fitores në fundin e ndeshjes me një gjuajtje të saktë brenda zonës.

Një dyluftim nga ndeshja Juventus-Milan, 2-1

Një tjetër humbje për Milanin, që në katër javët e fundit ka pësuar tre të tilla. Vendi i katërt është në rrezik serioz, sepse Atalanta, me një ndeshje më pak, është vetëm një pikë prapa. Me pjesëmarrjen në Champions në rrezik, edhe trajneri Gatuzo duket se i ka ditët të numëruara në stolin kuqezi. Rënia në javët e fundit, pavarësisht dëmtimeve të lojtarëve të rëndësishëm, e ngarkon me përgjegjësi atë. Pa Champions, sezoni i Milanit do të ishte i dështuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë