Futboll

“Juventusi me doping në 1996-ën, duam hakmarrjen!”, nxehet Championsi

Pas asaj përmbysjeje të bujshme ndaj Atletikos së Madridit, Juventusi do të ndeshet me Ajaksin në çerekfinale të Champions League. Skuadra holandeze është zbulimi i këtij kompeticioni, ku eliminoi Realin e Madridit, duke i shënuar 4 gola në “Santiago Bernabeu”, megjithatë shorti konsiderohet i favorshëm për Juventusin. E kaluara sjell kujtime të bukura për “Zonjën e vjetër”, që e ka ngritur kupën e fundit pikërisht kundër Ajaksit, në maj të vitit 1996, në Romë.

Atë mbrëmje në stadiumin “Olimpico” ishte edhe David Endt, ish-mesfushor dhe më pas menaxher skuadre i Ajaksit. Përpara sfidës së dyfishtë Juventusin, ai e ka ndezur atmosferën me disa deklarata, që kanë ngritur diskutime: "Duam të marrim hak për atë finale të vitit 1996 – ka thënë Endt për “Radio Kiss Kiss”. – Juventusi i asaj kohe tregoi se ishte ndoshta pak i dopuar. Na djeg akoma ajo humbje dhe mënyra si humbëm. Juventusi është vërtet favorit, nuk ka dyshime, por Ajaksi e ka treguar veten se është në lartësinë e duhur. Luan një futboll të bukur dhe gjithçka është e mundur. Pastaj, është edhe hakmarrja, siç e thashë. Në atë kohe kemi luajtur kundër një Juventusi, që më pas u zbulua se ishte dopuar. Ky është një motiv më shumë për të fituar, pavarësisht respektit që kemi për Juven”.

David Endt, ish-mesfushor i Ajaksit, tani menaxher skuadre

Një deklaratë e fuqishme kjo e David Endt, që do të krijojë polemika me siguri dhe dy ndeshjet çerekfinale mes ekipit italian dhe atij holandez pritet të jenë vërtet të nxehta brenda dhe jashtë fushe. Ajaksi është një ekip mjaft simpatik, me të rinj të talentuar, por Juventusi ka më shumë përvojë. Klubi italian pret që ylli i skuadrës, Kristiano Ronaldo, të mos dënohet për gjestin e bërë në ndeshjen me Atletikon, kur e festoi njërin nga golat si trajneri Simeone.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë