Futboll

Juve-Milan përballen për superkupën në Arabinë Saudite

Mbrëmja e këtij 16 janari vë përballë Milanin dhe Juventusin në Superkupën e Italisë. Ndeshja starton prej orës 18:30 dhe do të luhet shumë larg Italisë, në Arabinë Saudite në stadiumin “Mbreti Abdullah”. Një ndeshje që zakonisht luhet para fillimit të kampionatit në muajin gusht, italianët kanë vendosur që ta spostojnë në këtë periudhë për shkak të përfitimeve nga marketingu.

Ekipet janë me shumë diferenca të mëdha mes njëra tjetrës, Juve kryesuese dhe dominuese totale, ndërsa Milan ende në krizë dhe mes shumë dilemash. Por të gjitha këto krahasime nuk kanë shumë vlerë dhe bien kur bëhet fjalë për një përballje të tillë dhe për më tepër në finale.

Milan kërkon këtë trofe, pasi në kushtet që është për momentin nuk mund të pretendojë dot ndonjë tjetër. Në këtë periudhë merkatoje, ku tek Milan përfliten shumë afrime dhe largime, kjo finale mund të përdoret si një kamerdare shpëtimi. Trajneri Gatuzo në konferencën në prag të ndeshjes është shprehur se ekipi i tij duhet të mendojë vetëm për fitoren në mënyrën që të dalë me rezultatin e duhur nga kjo përballje. Ronaldo është frika e tij më e madhe, po Gatuzo u shpreh se nga Juventus duhet të ruhesh nga të gjithë krahët, pasi nuk mungojnë lojtarët kualitativ. Higuain do të jetë titullar, pavarësisht se Kutrone bëri shumë mirë në Kupë, por edhe Pakueta, afrimi i ri i merkatos pritet të startojë që nga minuta e parë.

I ndryshëm është diskutimi për Juventusin që e kërkon fitimin e Superkupës për të shtuar një stoli në palmaresin e saj që në vitet e fundit gjithmonë ka pasur nga 2 apo tre trofe. Skuadra bardhezi vjen në këtë finale si pretendente, por nuk besohet ta ketë shumë të thjeshtë. Alegri e ka në dispozicion pjesën kryesore të ekipit të tij dhe në fushën e Dubait pritet të zbresë formacioni më i mirë i mundshëm. Trajneri i i bardhezinjve në konferencën për shtyp tha se diferenca 22 pikë në kampionat mes dy ekipeve nuk ka shumë vlerë, pasi flitet për dy ekipe të mëdha dhe me fanellë të rëndë. Nëse milanistët frikësohen nga Ronaldo, tek Juventinët frika vjen nga një “ish” si Gonzalo Higuain, që sipas Alegrit do të kërkojë të bëjë më të mirën në këtë përballje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë