Futboll

Juve dhe Inter gati për shkëmbimin Ikardi – Dibala

Pas javës së parë të Serisë A, merkato vijon të jetë e hapur në Itali. Deri më datë 2 shtator ekipet italiane do mund të bëjnë lëvizjet e tyre në tregun e transferimeve. Mëngjesin e kësaj të martë gazetat më të mëdha përtej Adriatikut janë hapur me lajmin e bujshëm të shkëmbimit të Mauro Ikardit me Paulo Dibalën.

Flitet se fill pas ndeshjes Inter – Leçe mes drejtorit të Interit, Bepe Marota dhe drejtorit juventin Fabio Paratiçi ka pasur një telefonatë. Dikur miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë, dy strategët italianë në fokus të kësaj telefonate kanë pasur merkaton. Dibala drejt Interit dhe Ikardi drejt Juventusit, kjo është ideja që të gjithë janë duke diskutuar këto orë të fundit.

Paulo Dibala ne stol gjate nje ndeshje te Juventusit ne kampionat - Gazeta Si, 27 gusht 2019

I pari nuk është i lumtur në Torino, pasi me ardhjen e Ronaldos ka mbetur në hije dhe këtë sezon rrezikon që një pjesë të madhe të kampionatit ta kalojë në stol. Nuk është shprehur hapur për tu larguar nga Juventus, por sinjalet për një lamtumirë të mundshme janë të shumta. Ndërsa për Ikardin diskutimi është pak më i ndryshëm. Nga kapiten dhe idhull i tifozerisë mbi bazën e të cilit ndërtohej Interi në 3 sezonet e fundit, argjentinasi është kthyer në një të padëshiruar dhe është nxjerrë në merkato që prej qershorit. Edhe Ikardi nuk është shprehur hapur për largim nga Interi, por Konte nuk e do në ekip. Vlerën në merkato, pak a shumë e kanë të dy njësoj, njëri 80 dhe tjetri 85 milionë euro, që të dy me rënie në muajt e fundit.

Mauro Ikardi ne pankinen e Interit gjate sezonit te shkuar - Gazeta Si, 27 gusht 2019

Paratiçi dhe Marota pas kësaj telefonate të parë nuk kanë prenotuar një takim ballë për ballë epo dhe një telefonatë tjetër. Por sipas medieve italiane kjo tratativë është më afër se kurrë për t’u mbyllur brenda pak ditësh. Të katërta palët nuk humbasin. Skuadrat largojnë lojtarë të padëshiruar dhe marrin lojtarë që pëlqehen nga trajnerët respektivë. Gjithashtu edhe për futbollistët lëvizja është e leverdisshme në këtë drejtim. Në parim duket një marrëveshje “win – win” për të gjithë, por se sa do të realizohet mbetet për tu parë në ditët në vazhdim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë