Sociale

“Ju duhet të izoloheni familjarisht”. Pëllumb Pipero denoncon SMS-në: Nuk jam unë!

Mjeku Pëllumb Pipero ka denoncuar përmes rrjeteve sociale një mesazh, që thotë se u është dërguar në emër të tij njerëzve të tjerë, duke u kërkuar që të vetëkarantinohen, pasi kanë qenë në kontakt me persona të infektuar.

Pipero përjashton mundësinë që të jetë ai autori i këtij mesazhi.

“Sapo lexova një mesazh të tillë, i cili jo vetëm nuk është dhe nuk mund të jetë i imi dhe si i tillë është i dënueshëm, por mbi të gjitha është shumë i dëmshëm për situatën që kalon, jo vetëm vendi ynë, por gjithë bota nën peshën e një pandemie shumë serioze, që deri tani ka shënuar mijëra viktima dhe për të cilën ende nuk kemi një armë në dorë për ta luftuar, as medikamente të certifikuara dhe as vaksinë”, thotë mjeku infeksionist.

https://www.facebook.com/pellumb.pipero.921/posts/847606415743207

Pipero përsërit se e vetmja armë që kemi kundër koronavirusit të ri është izolimi dhe distancimi social dhe autorët që thotë se kanë abuzuar duke u çuar mesazhe qytetarëve në emër të tij thotë se do të përgjigjen para drejtësisë.

“Mesazhe si ky që po lexoni janë shumë të dëmshme, madje dhe të dënueshme! Këshilloj këdo që guxon e shkruan në emrin tim sot, ose të kolegëve të mi nesër, të mos luajë kësisoj. Sot ne kemi përballë koronavirusin dhe duhet të mjekojmë të sëmurët e të gjurmojmë e identifikojmë rastet e kontaktit. Nesër ligji do të gjurmojë e verë para përgjegjësisë të gjithë ata që guxojnë të luajnë me jetën e qytetarëve!”, mbyll sqarimin e tij mjeku Pipero.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë