Futboll

Jo vetëm Suso, Milani sakrifikon një skuadër të tërë në merkato

Nga Donaruma te Rodriguez, nga Kesi te Bilia, Silva dhe Kastilejo. Janë plot 11 lojtarë që pritet të lënë klubin kuqezi, por kuptohet, jo të gjithë përnjëherësh. Një skuadër e tërë do të sakrifikohet nga Milani në merkato.

Janë lojtarë që për një arsye apo tjetrën konsiderohen të shitshëm nga Milani. Lojtarë të shitshëm për arsye financiare, për arsye taktike, apo edhe për faktin se në një rol të caktuar skuadra ka shumë kandidatë. Drejtuesit e klubit po vlerësojnë sërish shitjen e mundshme të Xhixho Donarumës, i cili mund të sjellë të ardhura të mëdha në arkën e Milanit. Leonardo e kërkon te PSG-ja, pasi Areola nuk po kalon një moment të mirë, por gjithçka varet nga shitja ose jo e Nejmarit nga klubi francez. Me largimin e Xhixhos, me shumë mundësi largohet edhe vëllai i tij Antonio, portier edhe ai.

Xhixho dhe Antonio Donaruma, dy portierët që pritet të shiten nga Milani. Gazeta Si, 13 gusht 2019

Nga mbrojtja pritet të ketë shumë largime. Për krahun e majtë janë 4 lojtarë dhe Laksalt do të jetë i sakrifikuari i parë, por edhe Rodriguez duhet të gjejë ekip tjetër, pas ardhjes së Teo Hernandez, i blerë për të qenë titullar. Për krahun e djathtë, Konti dëshiron të qëndrojë në Milanelo dhe të luajë kartat e tij, por klubi është duke menduar për një huazim njëvjeçar të tij, në mënyrë që të kapë formën e duhur, pas mungesës së gjatë për shkak dëmtimi.

Në mesfushë, Bilia deri tani ka luajtur ndeshje me nivel, duke marrë komplimentet e trajnerit Xhampaolo, por rroga e tij prej 7 milionë eurosh është një barrë e rëndë për Milanin. Drejtuesit kuqezi po shohin edhe mundësinë e shitjes së Kesi, për të cilin ka interes nga disa klube, sidomos nga Anglia, por në këtë vend merkatoja në hyrje është mbyllur. Edhe për turkun Çalhanoglu është i njëjti diskutim, sepse në rolin e tij janë të gatshëm Paketa, tashmë edhe Bonaventura.

Bilia dhe Kesi, dy mesfushorët që Milani do t'i sakrifikojë. Gazeta Si, 13 gusht 2019

Në sulm, lojtari që nuk bën pjesë në planet e stafit teknik është Andre Silva, për të cilin së fundi ka interes nga Espanjoli në Spanjë. Milani e kishte shitur në fakt te Monako portugezin, por marrëveshja dështoi papritur pak orë para firmës. Edhe Kastilejo, me karakteristikat që ka, nuk bën pjesë në projektin e trajnerit Xhampaolo. Për të interesohet Villarreali. Suso është një lojtar që trajneri e do, por klubi e ka përfshirë në listën e të sakrifikuarve, sepse nga shitja e tij do të rregullohej bilanci financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë