Kombetarja

Jo vetëm në Itali, Ismajli kërkohet edhe nga klubi i madh turk

Ditët e Ardjan Ismajli në kampionatin kroat janë të numëruara. Futbollisti i Kombëtares shqiptare, më i miri sipas statistikave të fundit për kuqezinjtë gjatë eliminatoreve të Europianit, është vënë në shënjestrën e disa klubeve të njohura. Nga shtypi italian është bërë me dije pak ditë më parë se ka interesim konkret për Ismajlin nga Atalanta dhe Bolonja, dy klube të Serisë A, por së fundi për mbrojtësin 24-vjeçar është futur në lojë edhe një klub i madh turk.

Bëhet fjalë për Fenerbahçen, një nga ekipet më me emër të futbollit turk. Duke parë formën e mirë të mbrojtësit kuqezi, sipas asaj që raporton shtypi sportiv turk, drejtuesit e Fenerbahçes kanë nisur punën në terren për të fituar konkurrencën për Ismajlin, i cili është në rritje evidente profesionale. Hajduku i Splitit, klubi aktual i mbrojtësit, do të mbushë arkat me siguri, tani thjesht mbetet për t’u parë nëse lëvizja e tij do të kryhet në janar, apo në merkaton e verës.

Ismajli në formacionin kuqezi për ndeshjen me Andorrën. Gazeta Si, 21 nëntor 2019

Një kalim i mundshëm në Itali, apo edhe në kampionatin turk, do ta ndihmonte Ismajlin për të rënë më shumë në sy dhe më pas për të kaluar pse jo në një nivel më të lartë. Nëse kalon te Fenerbahçe, Ismajli do të bashkohej me sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqin, i cili po paraqitet mjaft mirë me fanellën e këtij ekip.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë