Futboll

Jo vetëm në fushë, Juventus 20% rritje edhe në bursa

Mbrëmja e së martës për Juventusin dhe të gjithë tifozët bardhezinj zor së do të harrohet lehtë. Torinezët tashmë janë në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe me shanse më të mëdha për të ngritur trofeun në muajin maj në “Wanda Metropolitano”. Por suksesi i madh i Juventus nuk është i kufizuar vetëm në fushën e lojës. Skuadra e Alegrit mund t’i gëzohet edhe një tjetër triumfi po me aq shumë rëndësi, jashtë fushave të blerta, por në planin financiar. Sipas medieve italiane mëngjesi i kësaj të mërkure e ka gjetur Juventusin me një rritje galoponte, prej 20% në bursë. Rritja vetëm në këto orë të para llogaritet të shkojë deri në 50 milionë euro.

Në këtë edicion të Ligës së Kampionëve deri më tani, Juventus ka fituar 80 milionë euro nga sponsorët dhe të drejtat televizive që shpërndan UEFA. Në këtë shifër nuk llogariten të ardhurat e përfituara nga stadiumi “Allianz”, që gjithashtu është një “minierë ari” për klubin bardhezi. Vetëm mbrëmjen e djeshme Juventus ka fituar më shumë se 5.5 milionë euro që janë prodhuar nga tifozët në stadium. Sipas këtyre llogaritjeve të deritanishme, nëse Juventus ia del që në fund të ngrejë lart trofeun “veshgjatë” do të përfitojë diçka më shumë se 130 milionë euro. Sërish edhe në këtë shifër nuk përfshihen bonuset që bardhezinjtë mund të përfitojnë nga marrëveshjet që kanë me sponsorët e tyre për shkak se jo të gjitha janë bërë publike.

Ashtu si u përfol në verën e shkuar, afrimi i Kristiano Ronaldo nuk ka qëllim çuarjen e Juventusit në një tjetër nivel vetëm në drejtim të rezultateve sportive. Portugezi është një makineri e vërtetë parash dhe deri më tani me të gjitha arkëtimet që kanë bërë bardhezinjtë, kjo gjë po provon të jetë e vërtetë dhe një lëvizje e zgjuar e presidentit Andrea Anjeli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë