Kombetarja

Jo vetëm Levandovski, polakët shumë më lart në vlera individuale se kuqezinjtë

Fatjon Rupi - Shqipëria i nis kualifikueset e Europianit 2024 pas pak orësh në Varshavë, me një trajner të ri dhe me disa lojtarë të rinj. Ditët para kësaj sfide janë karakterizuar nga një optimizëm i madh në kampin kuqezi: në skuadër, staf tenik, drejtues të FSHF-së e ish-lojtarë të Kombëtares.

Nga nje ndeshjes mes Polonise dhe Shqiperise. Gazeta Si, 27 mars 2023

Po flitet për kualifikimin për në Euro 2024 dhe për një fitore të mundshme në Poloni. Gati-gati e kemi bërë veten favoritë, edhe pse luajmë në fushën e një skuadre pjesëmarrëse në Botërorin e Katarit. Askush nuk na e heq të drejtën të pretendojmë, sepse realisht kemi potencial, por sa objektive janë gjykimet para sfidës në Poloni?

Po të shohim përbërjet e dy skuadrave, Polonisë dhe Shqipërisë, polakët qëndrojnë shumë më lart në vlera individuale se kuqëzinjtë. Nuk është vetëm Robert Levandovski, me të cilin gjithë shqiptarët identifikojnë Poloninë. Kjo skuadër ka yje në çdo repart, nga porta te sulmi, që bëjnë vërtet diferencë të madhe me skuadrën tonë.

Shezni, portieri polak i Juventusit. Gazeta Si, 27 mars 2023

Le t’i shohim repartet me radhë dhe të bëjmë një krahasim për të kuptuar realisht se kë kemi përballë sot në mbrëmje. Portën e Polonisë e mbron Shezni, titullari i Juventusit. Në portën e kuqezinjve mund të jetë Strakosha ose Berisha, të dy në stol kohët e fundit respektivisht te Brentfordi dhe Torino. Shumë e lehtë për të kuptuar diferencën.

Kivior, mbrojtesi polak i Arsenalit. Gazeta Si, 27 mars 2023

Në mbrojtje Polonia ka disa lojtarë që luajnë rregullisht me skuadrat e tyre në Premier Ligë, si Bednarek i Sauthemptonit dhe Kash tek Aston Vila, kurse Kivior është pjesë e Arsenalit. Edhe Shqipëria ka mbrojtës të klubeve me emër, por sot mungojnë Gjimshiti i Atalantës dhe Ismajli i Empolit. Kumbulla nuk ka pasur aktivizim të rregullt, kurse Mihaj luan në Portugali. Ndryshe është situata me Hysajn dhe Balliun, që janë në formë të mirë.

Zielinski, mesfushori polak i Napolit. Gazeta Si, 27 mars 2023

Në mesfushë Polonia ka një lojtar si Piotr Zielinski, një titullar kyç i Napolit të Spaletit, që po shkon drejt titullit në Serinë A. Te kuqezinjtë mesfushori më i mirë është Kristjan Asllani i interit, por që qëndron thuajse gjithë kohën në stol.

Levandovski, sulmuesi polak i Barcelones. Gazeta Si, 27 mars 2023

Për të ardhur te sulmi, ku polakët kanë një lojtar kalibri si Robert Levandovski i Barcelonës, kurse qendërsulmuesi i Shqipërisë, Sokol Cikalleshi, luan në Arabi. Piatek është një tjetër emër me përvojë i sulmit polak. Myrto Uzuni është sulmuesi më në formë i kuqezinjve, që luan me Granadën në Ligën 2.

Emrat flasin vetë nga anon peshorja dhe tregojnë se në Poloni nuk mund ta kemi kurrsesi aq të lehtë se sa mund të mendohet. Fakti që futbolli është një lojë skuadre dhe jo individësh, na bën të shpresojmë, gjithmonë brenda kornizave të logjikës. Pastaj ka të bëjë edhe dora e trajnerit dhe ne dorën e Silvinjos ende nuk e kemi parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë