Ana e errët

Jo vetëm futbolli! Zbresin për kafe dhe luajnë baste, deri për ndeshje me qentë

Gazeta Si - Është e kotë të konsiderohet një sfidë e fituar beteja me lojërat e fatit. “Për të mos thënë se asnjëherë nuk u luftuan, përkundrazi u kthyen në një minierë ari për ata që mbyllen sportelet dhe shpërthyen në të zezë, pa i paguar asnjë taksë shtetit. Ata paguan vetëm nën dorë, ndonjëherë duke spiunuar rivalin në barin ngjitur”.

Kështu deklaron një zyrtar policie që edhe më herët e ka quajtur operacionin e aso kohe, “Fundi i marrëzisë”, si nisja e një marrëzie tjetër.

Për këtë, zyrtari i policisë tregon se përmes lojërave të fatit ‘online’, u shkua përtej asaj që shqiptarët vendosnin baste më herët dhe që lidhej tradicionalisht me ndeshjet e futbollit.

“Në telefona të sekuestruar, kemi gjetur vënie bastesh për ndeshje me qentë, baste për zgjedhjet lokale, baste futbolli, boksi”, - shton zyrtari.

I njëjti burim i vendos në dispozicion Gazetasi.al, një nga dosjet ku flitet edhe për bastet për qentë. Fashikulli i ekspertëve të krimit ekonomiko-financiar, flet për njërën nga këto biseda, me të akuzuar shtetasin M.K.

“Në brendësi të komunikimeve, konstatohen biseda për vendosjen e lotarive, si ato për garat me qen dhe gara të tjera të kësaj natyre, ku dhe diskutohet për shumat monetare, gjendjen e llogarive, mbushjen me kredit të llogarive, biseda për fituesit dhe për humbësit”, - shkruan oficeri i policisë në dosje.

Çështja në fjalë e zbuluar në rrugën “Besim Alla”, lagjia në zonën “Misto Mame”, doli në dritë nga klientë të zakonshëm në një bar kafe lagjeje.

Disa nga klientët u konsideruan të pazakontë, pasi nuk porosisnin asgjë, por pasi flisnin me kamerierët, largoheshin çuditshëm.

Policia, kujton për Gazetasi.al si pjesë nga ky aksion, që nuk ndryshon nga dhjetëra të tjerë të kryer në kryeqytet dhe në qytetet më të mëdha, por që kryesisht përfunduan me kamerierë të vënë përpara përgjegjësisë.

“U konstatuan dy klientët A.S., dhe B.Z., dhe punonjësit M.K., me detyrë kamerier, të cilit ju gjetën ueb sajte të hapura për lotaritë dhe disa celularë.

Por pronari i këtij lokali, menjëherë pasi është pyetur nga policia, është shfajësuar, duke ia lënë përgjegjësinë punonjësit.

“Ia kam lënë me qira kamerierit dhe për këtë, pak muaj më parë kemi nënshkruar kontratë noteriale”, - deklaroi biznesmeni. Në këto kushte, policia bën me dije se hodhi sytë nga banakieri.

“Nuk e kam idenë, mua më la çelësat kamerieri, pasi shkoi në Pogradec dhe nuk di t’i përdor fare as kompjuterët, as telefonin. Kanë qenë të hapur aty ku i gjetët ju. Si banakier, punoj në të zezë dhe paguhem veç 20 mijë lekë”, - deklaroi për efektivët E.A.

Megjithatë, pavarësisht deklaratës, në telefonin e tij policia këmbëngul se gjeti biseda inkriminuese për vendosjen e lotove dhe udhëzime se si duhet të vendoseshin. Policia nuk e ka lënë të qetë as klientin me inicialet A.S.

“Jam i papunë, - thotë i riu. - Jam me fëmijë të vegjël dhe dola për të pirë kafe. Është e vërtetë që luaj ndonjëherë baste, por atë ditë dola për kafe dhe po shikoja ndeshjen, pasi ishte fundjavë dhe doja të shikoja kush do fitonte”.

Sikur ta ketë kopjuar dhe ta kishte dëgjuar rrëfimin e klientit të parë, të njëjtën gjë thotë edhe shtetasi B.Z., edhe ai ishte i interesuar për ndeshjen, por jo për rezultatin.

Si e aksesoi

Rrëfimin e qartë e jep për autoritetet shtetasi M.K. “Këto njësi janë të shkarkuara në internet dhe nuk janë me pagesë. Kompjuteri në banak është i lokalit. Isha duke shikuar në internet dhe më doli përpara aplikacioni tek i cili pasi krijova një adresë, vura re se mund të vendoseshin baste. Automatikisht m’u dërgua një ‘email’, që më thoshte se nëse vendosja sa më shumë baste, do kisha përfitim”.

I riu këmbëngul se nuk e kishte idenë e ligjit dhe se nisi të luajë e të ftojë edhe miqtë. Një ndër ta ishte edhe B.Z., i cili kujton se “është kaq e lehtë. Kur e ke lokalin poshtë shtëpisë dhe dëshiron të shikosh futboll. Këtë bëja dhe unë, shikoja ndeshjet”.

Gazetasi.al ka raportuar në vazhdimësi për përpjekjet e dështuara, pavarësisht se policia e paraqet si një sukses.

Aktiviteti i padukshëm për sytë e policisë prej muajsh mbahet i organizuar në bare dhe lokale dhe vijon të prodhojë jo vetëm para bastesh, por edhe viktima që pasi humbasin çdo gjë, lënë peng automjete, shtëpi e gjithçka që blihet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë