Futboll

Jo vetëm Ajaks-Totenhem, 10 surprizat më të mëdha në Champions!

Edhe në kompeticionin më të rëndësishëm në nivel klubesh në Europë ka surpriza të këndshme, deri diku të pabesueshme. Ju zbulojmë 10 skuadrat që kanë surprizuar në Champions League, për të cilat nuk do të kishit vënë kurrë bast se do të arrinin deri në gjysmëfinale, ashtu si Ajaksi dhe Totenhemi këtë sezon, por edhe të shkonin në finale apo ta fitonin trofeun.

Nga një ndeshje mes Juvetusit dhe Panathinaikosit në vitin 1996

1995-1996: Panathinaikos
Pasi fitoi kampionatin grek, që nuk është shumë kompetitiv, Panathinaikosi ishte protagonist në Championsin 1995-1996. Grekët eliminuan Hajdukun e Splitit dhe në grup ishin me Nantën, Porton dhe Alborgun. Panathinaikosi u kualifikua, pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë me danezët. Më pas eliminoi Legian e Varshavës, duke fituar 3-0 në Athinë dhe barazuar 0-0 në Poloni. Në gjysmëfinalen historike grekët u eliminuan nga Ajaksi, që u mund 1-0 në fushën e tij, por fitoi në Greqi. Në atë edicion ishte surprizë edhe Nanta, e eliminuar në gjysmëfinale nga Juventusi, që në fund fitoi trofeun.

Diego Alonsi i gëzohet një goli të Valencias

1999-2000: Valencia
Viti 2000, kur nisi historia epike "e mallkuar” e Hektor Kuperit. Valencia kishte zënë vendin e 4-t në kampionatin spanjoll dhe dukej një ekip me ambicie të limituara në Champions. Por lojtarët e "Hombre vertical" nisën një ecuri të jashtëzakonshme, duke zënë vendin e parë në fazën e parë të grupeve dhe vendin e dytë në fazën e dytë po në grupe. Eliminuan Lacion në çerekfinale dhe fituan derbin me Barcelonën në gjysmëfinale. Shpresat e mëdha të Valencias u fshinë në finalen e Parisit nga Real Madrid, që fitoi 3-0. I pari në serinë e gjatë të zhgënjimeve të Hektor Kuperit.

Alan Smith feston me fanellën e Lids Junajtid

2000-2001: Lids Junajtid
Një gjysmëfinale me nota të forta nostalgjie për një klub që donte të kthehej në kohët e arta. Në sezonin 2000-2001 u rishfaq Lids Junajtid mes 4 skuadrave më të mira të Europës, për herë të tretë dhe të fundit në historinë e tij. Fazën e parë ekipi anglez e mbylli pas Milanit, më pas eliminoi Lacion dhe në çerekfinale Deportivo La Korunjën. Pastaj gjysmëfinalja historike me Valencian, finaliste e një sezoni më parë. Ndeshja e parë në Angli u mbyll 0-0, ndërsa në Spanjë fitoi Valencia 3-0 dhe Lidsi u eliminua. Një përrallë, që përfundoi shpejt për shkak të një administrimi të diskutueshëm financiar.

Portieri But shën me penallti ndaj Bufonit

2001-2002: Bajer Leverkusen
Portieri që gjuante penallti, Jorg But, mbrojtësi driblues i qendrës Lusio dhe mesfushori grintoz Balak. Ishin këta lojtarë tre kolonat e Bajer Leverkusenit, që në edicionin 2001-2002 prezantohej me disa të veçanta, që ndoshta e kishin bërë të nënvlerësohej potenciali i tij real në fushë. Gjermanët mundën Lionin dhe Juventusin në grupe, por ky ekip tregoi potencialin e vërtetë në fitoren e bujshme 4-2 ndaj Liverpulit, pas 1-0 në “Anfield”. U konsiderua si ekipi më i dobët gjysmëfinalist, por eliminoi edhe Mançester Junajtid me dy barazime, për t’u dorëzuar në finalen e Gllasgout ndaj Realit të Madridit.

Porto, kampione e Europës në vitin 2004

2003-2004: Porto
Viti i surprizave dhe zbulimeve, një edicion i papërsëritshëm. Porto, e drejtuar nga Hoze Mourinjo, shkroi një faqe të ndritur të historisë së saj në sezonin 2003-2004, ku kishte edhe ekipe të tjerë “outsider”. Pasi kaloi grupin bashkë me Realin e Madridit, skuadra e udhëhequr nga Deko dhe Vitor Baia eliminoi me bujë Mançester Junajtid në 1/8-at. Në çerekfinale kaloi Lionin dhe në gjysmëfinale u takua me Deportivo La Korunjën, që kishte eliminuar Milanin. Portugezët u kualifikuan dhe në finalen e Gelsenkirshenit mundën Monakon. Porto ia doli të fitonte. Është e vetmja skuadër surprizë e gjysmëfinaleve që ka fituar Championsin.

Deportivo feston kualifikimin ndaj Milanit

2003-2004: Deportivo La Korunja
Porto nuk ishte surpriza e vetme në Championsin e sezonit 2003-2004. Spanjollët e Deportivo La Korunjës nuk kishin vetëm meritën e kalimit mes 4 më të mirëve, por edhe atë të eliminimit të dy finalistëve të edicionit të mëparshëm, Milanin dhe Juventusin. Ata u kualifikuan për në fazën e 1/8-ve, ku gjetën një Juventus favorit absolut, por që e eliminuan me dy fitore 1-0. Ndeshja e madhe e Deportivo La Korunjës, që mbahet mend nga të gjithë, është ajo e kthimit në çerekfinale ndaj Milanit. Spanjollët përmbysën fitoren 4-1 të Milanit, kampion në fuqi, me një 4-0 të madhe në fushën e tyre. Edhe pse eliminuan dy skuadra të mëdha, nuk mjaftoi që ata të luanin në finale, pasi u eliminuan nga Porto në gjysmëfinale.

Dëshpërimi i hoalndezëve pas golit të Ambrozinit në 2005-ën

2004-2005: PSV Eindhoven
Një udhëtim drejt lavdisë, i ndërprerë në kohën shtesë. PSV Eindhoven ishte zbulimi i edicionit 2004-2005, kur hodhi poshtë të gjitha parashikimet. Në fazën e 1/8-ve holandezët eliminuan Monakon, finaliste e një sezoni më parë. Më pas ishte radha e Lionit në lotarinë e penalltive, pas dy barazimesh. Në gjysmëfinale PSV Eindhoven takoi Milanin. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gus Hidink humbi 2-0 në “San Siro” dhe ishte shumë pranë përmbysjes në ndeshjen e kthimit, duke arritur të njëjtin rezultat. Goli i Ambrozinit në fillim të shtesës i dha mundësinë Milanit të kualifikohej dhe t’i jepte fund “vrapimit” të holandezëve. Para Ajaksit të këtij sezoni, ishte skuadra e fundit holandeze që kishte arritur në gjysmëfinale.

Vilarreali feston kualifikimin ndaj Interit

2005-2006: Vilarreal
Kazorla, Forlan dhe Takinardi për një gjysmëfinale historike. Vilarreali i 2005-2006-ës në letër duket sikur nuk kishte asnjë shans për të qenë në 4-shen më të mirë të Europës, duke përjashtuar kualitetin e ndonjë individi. Spanjollët shkuan në çerekfinale pas 6 barazimesh në ndeshjet e grupit dhe të 1/8-ve. Ishin të pamposhtur deri në sfidën e “San Siros” me Interin, që fitoi 2-1, por kualifikimi mbeti i hapur. Në ndeshjen e kthimit, “nëndetësja e verdhë” gjeti golin e kualifikimit me Arruabarrenën në stadiumin “Madrigal”. Në gjysmëfinale Vilarreali u eliminua nga Arsenali, pasi nuk mundi t’i përgjigjej golit të Ture.

Raul feston një gol me fanellën e Shalkes

2010-2011: Shalke 04
Short i favorshëm, lojtarë me përvojë dhe guxim në momentin e duhur. Ecuria e Shalke 04 në Championsin e sezonit 2010-2011 ishte një bashkim elementësh, që i çuan gjermanët në çerekfinale pa u ndeshur me asnjë kundërshtar të fortë në grup dhe me Valencian në 1/8-at. Kur tek Interi, kampion në fuqi, panë se do të ndesheshin me Shalken, ishin të kënaqur, por Raul me shokë ua hoqën shpejt buzëqeshjen nga fytyra zikaltërve, duke i mundur 5-2 në “San Siro” dhe duke humbur 1-2 në shtëpi. I takoi Mançester Junajtid ta ndalte Shalken në gjysmëfinale, me 6 gola në të dyja ndeshjet. Sidoqoftë, ishte një ecuri mbresëlënëse, që mbetet në zemrat dhe në mendjet e gjermanëve.

Monako feston kualifikimin në gjysmëfinale në 2017-ën

2016-2017: Monako
Monako ishte në prag falimentimi pak vite më parë, por shkoi deri te dyert e finales në sezonin 2016-2017, duke trembur “big”-ët e Europës, edhe pse kishte shitur një pjesë të mirë të yjeve të saj. Francezët kthyen në ekip Radamel Falkaon dhe i besuan 18-vjeçarit Kilian Mbape, që më pas do t’i magjepste të gjithë. Një ecuri e jashtëzakonshme e Monakos, me fitore të bujshme ndaj Totenhemit, Mançester Sitit dhe Borusia Dortmund, për t’u eliminuar në gjysmëfinale nga Juventusi, që i fitoi të dyja ndeshjet. Bota e futbollit zbuloi në atë kohë një fenomen, që do të mbulohej me ar pak muaj më vonë.
Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë