Ekspozite

‘Jerusalemi nuk është thjesht një qytet’

Nga Gazeta Si -“Shqipëria mikpret botën” sjell në Tiranë javën kulturore të Izraelit, me një seri aktivitetesh promovuese kulturore.

“Jeruzalemi nuk është thjesht një qytet” është ekspozita e çelur në kuadër të kësaj jave në Galerinë e Artit në Tiranë me një përmbledhje të 100 fotografive të autorit Dmitry Brickman, që tregojnë gamën e trashëgimive fetare dhe kulturore të qytetit të shenjtë të Jeruzalemit.

Ekspozitën e çelur e vizitoi sot kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Rama në fjalën e tij e vendosi theksin te miqësia mes dy vendeve dhe njoftoi hapjen e Muzeut Hebraik në Vlorë.

“Izraeli është i pranishëm për t’i treguar botës shumë gjëra. Kjo është e para herë por duam ta bëjmë traditë edhe për vitin tjetër. Duam të krijojmë gjithmonë e më shumë ura që na bëjnë bashkë dhe do të jemi shumë shpejt së bashku për inaugurimin e muzeut të ri në Vlorë dhe përgatisim qendrën hebreje në Vlorë dhe do të ishim shumë të nderuar që të ishit pjesë e kremtimeve tona”, tha Rama.

Ministrja u shpreh se ekspozita ka udhëtuar në shumë vende të tjera botës, me mesazhe të qarta të paqes dhe bashkëjetesës.

“Të gjithë personazhet janë të lidhura me qytetin antik. Por ka një mesazh shumë shqiptar, atë të bashkëjetesës dhe kjo është një ekspozitë e cila ka udhëtuar edhe në vende të tjera të botës dhe ne e falënderojmë artistin që në një kohë kaq të shkurtër që kur lëshuam thirrjen tonë për javën izraelite që t’i bashkohej me ekspozitën e tij. Ekspozita do të vazhdojë të udhëtojë edhe në vende të tjera të botës. Artisti ka punuar për këtë ekspozitë mbi dhjetë vite, ka një eksperiencë të gjatë në këtë fushë dhe do doja në fakt që të ishte ai që të na shpjegonte më shumë mesazhin e fotografive të tij”, u shpreh ministrja Margariti.

Ndërsa autori i ekspozitës tha se ekspozita përfaqëson një lutje simbolike.

“Kjo ekspozitë është një lutje simbolike në Jerusalem. Pasi kam punuar shumë vite në Jerusalem me foto, një ditë kam kuptuar që të gjithë njerëzit që që vinin në Jerusalem dhe s’ka rëndësi se çfarë gjuhe dhe çfarë shteti, vijnë që të luten, por thonë të njëjtën lutje në gjuhë të ndryshme, nuk ka rëndësi kush është gjuha. Duke parë lutjet që njerëzit bëjnë në Jerusalem, unë kam marrë rreth 25 lutje të ndryshme dhe ato i kam përzier nga fe të ndryshme, edhe nga kristianizmi dhe nga myslimanizmi, por njerëzit në fund të fundit lutjet dhe kërkesat e tyre janë të gjitha: ‘Unë dua dashuri, unë dua shëndet, dua jetë të gjatë’. Pasi përzjeva të gjitha fotot kemi krijuar dhe një film që do të prezantohet këtu. jam shumë i kënaqur në çfarë ka dalë dhe them që është një nga ekspozitat më të bukura të këtij turi që po bëj unë”, u shpreh Dmitry Brickman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë