Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, njoftoi se po jepte dorëheqje nga ky post.
Ky njoftim vjen teksa opozita rumune po bënte një përpjekje për ta rrëzuar atë nga posti, pasi ai qëndroi si president edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të anuluar zgjedhjet presidenciale, rundin e parë të të cilave e fitoi kandidati i krahut të djathtë, prorusi Calin Georgescu.
Klaus tha më 10 shkurt se ai do të largohet nga posti i presidentit pas dy ditësh.
Gjykata Kushtetuese i kishte kërkuar atij të qëndronte në postin e presidentit edhe pas mandatit të tij, që i përfundoi në mesin e dhjetorit, për shkak të anulimit të zgjedhjeve.
Gjykata Kushtetuese anuloi zgjedhjet dy ditë para se të mbahej rundi i dytë mes Georgescut dhe kandidates proevropiane, Elena Lasaconi.
Gjykata citoi dokumente shtetërore që supozohet se tregonin që Georgescu, i cili garoi si kandidat i pavarur, kishte përfituar nga një fushatë e padrejtë në rrjetet sociale, që me gjasë ishte orkestruar nga Rusia.
Moska ka mohuar se ka ndërhyrë në zgjedhjet në Rumani.
Zgjedhjet e reja presidenciale planifikohen të mbahen më 4 maj dhe nëse asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën, rundi i dytë do të mbahet më 18 maj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.