Futboll

Jep dorëheqjen presidenti i Luftëtarit: E pamundur të vazhdoj

Futbollit shqiptar po zhytet gjithmonë e më tepër në krizë. Goditja e fundit është dorëheqja e presidentit të Luftëtarit, Grigor Tavo. Dhe bëhet fjalë për një ekip të Superiores, që jo vetëm rrezikon të mos licencohet për sezonin e ri për shkak të borxheve të prapambetura, por duket në prag falimentimi.

Tavo ka pasur shumicën e aksioneve në shoqërinë aksionere që drejtonte ekipin gjirokastrit, por, siç ai bën me dije në letrën e lamtumirës, përveç Bashkisë së Gjirokastrës, asnjë aksioner tjetër nuk i ka përmbushur detyrimet. Ish-presidenti i Luftëtarit tashmë e ka dhënë dorëheqjen për t’u hapur rrugën investitorëve të tjerë, por në situatën aktuale duket shumë e vështirë që dikush të afrohet tek ekipi gjirokastrit.

Grigor Tavo, presidenti i dorëhequr i Luftëtarit

Letra e plotë e Grigor Tavos për largimin nga Luftëtari
Të nderuar miq,
Ndiej detyrimin të komunikoj me të gjithë ju që e doni me shpirt dhe zemër Luftëtarin për të sqaruar situatën e vështirë, ku gjendet ekipi ynë i zemrës. Në katër vitet që kam drejtuar Luftëtarin, jam krenar që kemi arritur suksese që edhe vetë nuk i prisja. Kur fillimisht nisa të investoj për këtë skuadër, mendoja thjesht që të ktheja Luftëtarin aty ku i takonte, në elitën e futbollit shqiptar. E realizuam këtë që në vitin e parë pas shumë sakrificash dhe vuajtjesh dhe arritëm të festonim atë sukses. Ne tre vitet tona në Superligë, siguruam pjesëmarrjen historike në Kupat e Europës, por mbi te gjitha bëmë që gjithë Shqipëria të fliste me superlativa për Luftëtarin dhe futbollin e tij.
Miq, sinqerisht që sporti dhe veçanërisht futbolli në kohët që jetojmë, kërkojnë shumë sakrifica, mundim dhe investime. Në këto katër vite edhe pse kemi një shoqëri aksionere, me disa ortakë, Luftëtari është mbështetur dhe financuar vetëm nga Grigor Tavo. Nuk mund të harroj në këtë rrugëtim edhe Bashkinë e Gjirokastrës, që deri tani ka përmbushur çdo obligim të sajin dhe ka plotësuar më së miri detyrimet dhe investimin që i takon si aksioner te K.F Luftëtari.
I gjendur në një situatë ku të gjithë aksionerët nuk e mbështesin Luftetarin as në kuotat që u takon si një shoqëri aksionere, e kam të pamundur të vijoj drejtimin e skuadrës dhe shoqërisë në tërësi. Është një vendim tepër i dhimbshëm për mua dhe jo vetëm. Do të largohem nga presidenca e Luftëtarit për t’u hapur rrugë investitorëve të rinj, që ndoshta mund të bëjnë më shumë për këtë skuadër dhe këto ngjyra që secili prej nesh i ka në zemër. Dua që në këtë moment të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, miqtë që më kanë mbështetur dhe veçanërisht tifozërinë e mrekullueshme gjirokastrite, e cila na ka qëndruar pranë në çdo hap.
Dorëheqja ime kurrsesi nuk mund të shihet si një braktisje, por vjen për të hapur rrugën e investimeve në skuadër për të mundësuar një ecuri sa më të mirë, pasi Luftëtari është më i rëndësishëm se çdo president apo drejtues. Dua ta mbyll këtë komunikim me premtimin që gjithmonë do të jem tifozi numër një i Luftëtarit. Sinqerisht, Grigor Tavo


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë