Politike

Lulzim Basha rikthehet në seli pasi u shpall kryetar i PD dhe mban fjalimin e parë: Koha për betejë të re, ta nisim pa cinizëm

Ashtu sic edhe pritej, Partia Demokratike zyrtare ka kryetarin e ri (të vjetër). Në krye të PD-së është zgjedhur Lulzim Basha.

Në një komunikim për mediat, Jemin Gjana deklaroi se Komisioni hartoi procesverbalin e rezultatit përfundimtar, dhe bazuar në të dhënat e votimeve në 71 degët e PD, rezultoi se kanë marrë pjesë në votime 18052 anëtarë të PD, në raport me listën e miratuar me 25460 anëtarë.

“Nga 18052 anëtarë që kanë marrë pjesë në votim, janë gjetur 18052 fletë votimi në kuti. Të pavlefshme kanë rezultuar 199. Komisioni Elektoral deklaron fitues të zgjedhje për kryetar zotin Lulzim Basha”, tha më tej Gjana.

Nga 17 853 fletë të vlefshme, Lulzim basha ka 16196 vota dhe Gjergj Hani 1657 vota. Gjana tha se kanë votuar edhe ata që nuk kanë qënë pjesë e listës, por nuk specifikoi më tej.  

Ndërkohë, vetëm 8 nga 52 deputetë që ka fituar në total PD (pa aleatët) në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021 pranuan të ishin pjesë e këtij procesi zgjedhor.

Rreth orës 21.30 Basha u rikthye në seli dhe mbajti një fjalim të shkurtër për një grusht mbështetësish.

Basha u shpreh se ka ardhur koha që shqiptarëve t’i kthehet pushteti.

“Ju falënderoj për mbështetjen dhe pjesëmarrjen tuaj. Demokratët dhe PD pavarësisht të gjitha vështirësive mbeten shpresa e shqiptarëve. Falënderim për strukturat e PD që organizuar një proces shembull dhe të denjë për standardet që kemi shpallur për të nesërmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mirënjohje për votuesit dhe falënderim i veçantë për Gjergji Hanin që me fuqinë e argumentit të tij, pastërtinë dhe përkushtimin ndaj PD e ktheu këtë proces në një debat të vërtetë idesh dhe vlerash si i takon garës. Jam i vetëdijshme për sfidat me të cilat ndodhet PD. Lumenjtë e mosbesimit rrjedhin akoma, ca të vërteta dhe ca të sponsorizuar nga ata që e duan Shqipërinë, pa liri, pa barazi para ligjit.

Mbi të gjitha e sotmja nuk shënon votën për një individ, por shënon nisjen e punës dhe puna fillon për të ndërtuar mes dy brigjeve të lumenjtë të mosbesimit, urën mes bregut të sotëm të dëshpërimit të shqiptarëve, depresionit psikologjik, ekonomik, mllefit e dëshirës për ndryshim dhe bregut e shpresës dhe besimit që do të sjellë ndryshimin e qeverisjes pavarësisht bindjeve politike. Nuk ka për të qenë e lehtë, por demokratët treguan se jemi gati t’i përvishemi një tjetër beteje. Shqipëria pret që demokratët të kthehen në krye të detyrës për të mbrojtur interesin publik”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë