Analize

Jelek-verdhët që po “shkundin” Francën dhe Europën

Pas katër javësh protestash kundër rritjes së taksave të karburantit dhe kostos së lartë të jetesës, Parisi është kthyer në një zonë lufte. Më shumë se 1,700 demostrues janë arrestuar të dielën, ndërkohë që numri i proestuesve në fundjavë arriti në 125,000 persona. Disa vende turistike, përfshirë edhe Kullën Eifel dhe Muzeun e Luvrit, janë mbyllur. Ministri i Financave Bruno Le Maire deklaroi se Franca se situata është kthyer tanimë në "një krizë" për shoqërinë dhe demokracinë.

Emanuel Makron, reformisti i Francës, që premtoi një “rilindje evropiane”, e sheh tanimë veten duke u përpëlitur në krye të një vendi, që po kthehet në një kërcënim për projektin europian.

Momenti me domethënës i protestave të jelekverdhëve në Francë ishte kur protestuesit shpërfytyruan fytyrën e përmendores së Marianës, simbolit të republikës franceze. Vetëm 3 javë më parë, udhëheqësit botërorë u mblodhën atje se bashku me Makron, për 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore.

Nga “pasionet e trishta” të francezëve, për të cilat Macron kishte paralajmëruar shumë herë, do të preket një kontinent i tërë, dhe jo vetëm karriera politike e një njeriu. Forcat ekstremiste në mbarë Europën duket se kanë “marrë zemër” nga pëplasja e Macron me “jelekë-verdhët”.

Presidenti Emanuel Macron

Nga mbështetësit e Brexit (majtas dhe djathtas), tek e djathta ekstreme italiane e Mateo Salvini, për të mos përmendur propagandën e Putinit, shija është e pagabueshme. Rebelimi dhe kaosi po lulëzojnë në demokracitë liberale. Çmimi që mëtojnë ekstremistët, është fitimi i zgjedhjeve për në Parlamentin Evropian majin e vitit që vjen.

Ngjarjet në Francë janë ogurzeza, dhe rëndësia e tyre shtrihet shumë më tepër se sa kufijtë e një vendi. Jo shumë kohë më parë, Makron e quajti me kreari veten armikun e Salvinit dhe Viktor Orbanit të Hungarisë, dy liderë që përmes politikave të pazareve, synojnë të ndalojnë hyrjen e emigrantëve në vendet e tyre, mbyllin gojën kundërshtarëve politikë dhe sabotojnë sundimin e ligjit.

Makron është dobësuar, është tërhequr në mbrojtje, dhe është përherë e më i izoluar. Skenat dramatike në Francë dy javët e fundit mund të duken për disa, si një ringjallje e kryengritjes së majit 1968. Por një paralele më e rëndësishme, mund të jetë 6 shkurti i vitit 1934.

Atë ditë, bandat e nacionalistëve ekstremistë marshuan në kryeqytetin francez, dhe u përleshën me policinë, në një trazirë që shkaktoi 15 të vdekur. Ngjarjet e asaj dite, shërbyen si një mit themelues për atë brez të së djathtës në Francë.

Sigurisht, Makron ka bërë gabime. Shumica e protestuesve kanë ankesa të vërteta. Ata e konsiderojnë veten “njerëzit e padukshëm”, që trajtohen me përbuzje nga elitat pariziane, dhe se tani janë bërë shumë të dukshëm me xhaketat e tyre fluoreshente. Opinioni publik është pas tyre.

Një nga anëtaret më elokuente të lëvizjes është Ingrid Levavazyr, një infermiere e re, nënë e divorcuar me 2 fëmijëve nga Normandia. Javën e kaluar, ajo foli me tone prekëse në televizion, mbi përpjekjet e saj për të arritur qëllimin e protestës, dhe për ndjenjën e saj të thellë të padrejtësisë:”Disa njerëz ankohen se ne i bllokojmë rrugët, por ata nuk ankohen kur ato bllokohen nga trafiku, apo kur janë duke shkuar me pushime në resortet turistike të skive, apo jo?”-pyeti ajo me butësi.

Por kriza e Francës ka nënrryma më të këqija, të mishëruara nga një zëdhënës tjetër i jelekë-verdhëve, Kristof Shelençon. Një kovaç nga rajoni jugor i Vaukluz, Shelençon është një anti-mysliman i hapur, dhe ka bërë thirrje për instalimin e një qeverie të udhëhequr nga ushtria, pasi sipas tij “një komandant i vërtetë, një gjeneral, një dorë e fortë, është ajo që na nevojitet”.

Partitë e të djathtës, si Aksioni Francez, po përpiqen të rikuperojnë terren, dhe të rrikthehen në skenën kombëtare. Njoftimi më i fundit nga qeveria, se rritja e taksave do të pezullohet, është ndoshta shumë pak, dhe shumë i vonuar. Frikërat e francezëve janë të trefishta.

Ekziston frika e humbjes së pushtetit dhe prestigjit; frika e ndikimit ekonomik të globalizimit, dhe frika e humbjes së një “identiteti kombëtar”. Vendi vuan ndërkohë nga ndarjet e thella brenda vendit, të cilat vështirë se mund t’i mbyllë një president në vetëm 18 muaj.

Grupime të tëra sociale, ndjehen të neveritur me njëri-tjetrin:të rinjtë kundrejt të moshuarve, të papunët përkundrejt të punësuarve, ruralët kundrejt urbanëve, të pakualifikuarit përkundrejt të mirë-arsimuarve. Ndarje të tilla ekzistojnë në shumë vende, por në Francë ato marrin një dimension ekzistencial, për shkak të idealit të barazisë, historikisht të lidhur me republikën. Shumë francezë, ndjejnë se realiteti nuk pasqyron atë që ata kanë të drejtë të kenë. Kur Makron garoi për president në vitin 2017, ai premtoi një “revolucion” (ky ishte edhe titulli i librit të tij të fushatës), për të adresuar një nevojë të përhapur për një ripërtëritje të brendshme, dhe një rivendosje të prestigjit francez, jo më pak në skenën europiane .Tani presidenti duket i paralizuar në shtëpi...

Burimi: The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë