Ndarja me bashkëshorten dhe humbja e miliona dollarëve pasuri nga ky divorc nuk e ka shkurajuar bosin e Amazon, Jeff Bezos. Bezos prezantoi së fundmi në një ceremoni, që deri para se ta bënte vetë publike ishte mister, projektin për të zbritur në Hënë para vitit 2024.
Ky vit është afati i vendosur nga Presidenca e Donald Trump për të ulur edhe njëherë tjetër flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në satelitin tonë natyror.
“Blue Moon” është anija e parë hënore e “Blue Origin”, kompani e zotëruar nga Bezos. “Kjo është një makineri e jashtëzakonshme dhe do të na rikthejë në Hënë”, citohet Jeff Bezos nga CNN.
Anija fluturuese ka nisur të ndërtohet tre vite më parë dhe Jeff Bezos thotë se para vitit 2024, të vendosur si afat nga ana e zv.Presidentit amerikan, Mike Pence, do të ulet me ekuipazh në Hënë.
Por, nisur nga koncepti dhe dezajni i anijes së Amazon, ambicia nuk është vetëm Hëna. Duke komentuar në forume të ndryshme në internet një pjesë e tyre thonë se projekti mund të konsiderohet si një gurthemeli i fuqishëm për eksplorimin edhe përtej sistemit tonë diellor në të ardhmen.
“Është koha që fillimisht të rikthehemi në Hënë dhe këtë herë jo për t’u rikthyer me shpejtësi në Tokë, por për të qëndruar dhe kolonizuar atë”, deklaroi Bezos. Kjo do të thotë se projekti nuk synon thjesht një ekskursion hënor, por ndërtimin e një baze të përhershme në sipërfaqen e Hënës, që shkencëtarët besojnë se do t’u japë një tjetër hov studimeve hapësinore në tërësi.
Kompania “Blue Origin” thotë se testet e para do të kryhen brenda kësaj vere, por nuk nxitohet që të japë një datë të saktë se kur do të urdhërojë nisjen në drejtim të Hënës të anijes së bashku me ekuipazhin e saj.
Fillimisht mendohet që ekuipazhi do të përbëhet nga 12 persona, specialistë të fushave të ndryshme, të ngarkuar me detyrën e ngritjes së një baze hënore për njerëzimin. Synimi i parë, i paralajmëruar tërthorazi edhe nga Jeff Bezos do të jetë kërkimi i burimeve të energjisë në sipërfaqen dhe nën sipërfaqen e Hënës.
“Burimet e energjisë në Tokë nuk mjaftojnë për njerëzimin, edhe sikur ne të fillojmë që ta kursejmë atë. Prandaj, për këto burime duhet të shohim lart në qiell”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.