Sociale

Javën e ardhshme të tjera lehtësime, mjeku Tritan Kalo bën thirrje për kujdes

Qeveria po mendon heqjen e kërkesës së autorizimit për të lëvizur me mjete private, duke filluar nga java e ardhshme. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e konfirmoi këtë, por duke paralajmëruar se gjithçka do të varet nga kurba e infeksioneve të reja që do të regjistrohen gjatë kësaj jave.

Detyrimi për të marrë autorizim do të hiqet plotësisht për qarkullimin me mjete private nga një zonë e gjelbër, në tjetrën, ndërsa po studiohet mundësia e heqjes së kësaj kërkese edhe brenda një qarku, pavarësisht nëse qarku është pjesë e zonës së gjelbër, apo jo.

Manastirliu e bëri këtë deklaratë gjatë një lidhjeje direkte me emisionin “Opinion”, ku tha gjithashtu se sa i takon rifillimit të transportit publik dhe hapjes së kufijve nuk ka ende një datë. Për transportin publik, ministrja deklaroi se aktualisht Qeveria mendon që ky sektor të hapet në fazën e fundit të masave lehtësuese. Ajo deklaroi gjithashtu se duke filluar nga data 18 maj do të shtohen fluturimet për riatdhesimin e shqiptarëve të bllokuar jashtë vendit.

Megjithatë, hapja vjen bashkë me pasojat e saj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, mjeku Tritan Kalo porosit qytetarët që të tregohen të kujdesshëm.

Tritan Kalo

“Fillimi i hapjes së domosdoshme të vendit e sjell përsëri në prag rrezikun e infektimit nga Sars-Cov2/Covid-19. Në këtë sfidë nuk ka vetëm heronj, të sëmurë dhe të mbijetuar, por edhe viktima. Jemi të gjithë të pambrotjur para tij (koronavirusit), nëse nuk vijojmë të zbatojmë këshillat për distancimin fizik, higjienën përsonale, kolektive dhe atë të mjedisit, hidrimin dhe ushqimin e shëndetshëm”, shkruan mjeku.

Kalo thotë se prej 36 orësh nuk pati asnjë pacient të ri të shtruar në Spitalin Infektiv, por ky rekord u thye gjatë ditës së hënë.

“Pas 36 orëve të asnjë rasti të shtruar nga Covid-19 në Covid-1, Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në QSUT, kanë filluar sot edhe trokitjet e para të sëmurëve të rinj. Vijoni të bëni kujdes. Nëse ka debate shkencore mes kolegësh, këto debate janë vetëm e vetëm për të hedhur dritë mbi shumë paqartësira, që ende bart kjo flamë botërore”, shkruan ai.

Kalo akuzon politikën se po mundohet që të përçajë bluzat e bardha.

“Zotër të jetëve jemi vetëm ne. Bashkëqytetarët e mi, ju lutem të mos hiqni dorë asnjëherë nga informimi prej atyre, që ndokush i quan edhe “mesjetarët mjek” (S.G.) dhe të informoheni jo drejt dhe shpesh të mbështetur në mllefe politike, militantiste dhe shumë pak profesioniste nga gjithologët e shumtë, të cilët vijojnë e gëlojnë në ekranet tona, në shtypin e shkruar apo në rrjetet sociale. Mos u përpiqni të na përçani ne mjekët me idiotësirat tuaj. Ne mantelbardhët kemi bërë të gjithë një BETIM dhe jemi të gjithë në bllok në përballjen me sfidën “Covid-19”, mbyll postimin e tij mjeku Kalo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë