Moti

Java mbyllet me vranësira dhe kthjellime

Masat ajrore të ngrohta dhe të lagështa me origjinë oqeanike vijojnë ndikimin e tyre duke kushtëzuar në vendin tonë mot të kthjellët dhe vranësira të shpeshta gjatë paradites, por orët e pasdites do të sjellin zhvillim të vranësirave duke gjeneruar shira, ku herë pas here do të jenë rrebeshe, kryesisht në zonat Jugore-Juglindore.

Parashikohet që në mbrëmje dhe gjatë natës të ketë përmirësim gradual të kushteve atmosferike. Ndërkohë temperaturat  e ajrit do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga  5°C deri në 25°C vlera maksimale në rang vendi.

Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi mbi 40 km/h nga drejtimi kryesisht Verior dhe Verilindor duke krijuar në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim mbi 2 ballë.

Kthjellimet, vranësirat dhe reshjet e shiut do të jenë prezente edhe në fundjavë. Dita e shtunë, në pjesën e parë të saj, do të sjellë intervale të gjata me kthjellime. Orët e gjata me diell do të jenë të shumta në Ultësirën Perëndimore ndërsa pasditja sjell kalime të lehta të vranësirave, ku më të dukshmet do të jenë në zonat jugore ku herë pas here do të kemi edhe rrebeshe të përkohshme shiu kryesisht në qytete si Vlora, Berati, Gjirokastra apo Saranda. E diela paradite do të jetë në dominimin e kthjellimeve dhe kalimeve të lehta të vranësirave. Pjesa e dytë e ditës do të sjellë shpeshtim të vranësirave në zonat malore, duke bërë që përgjatë shtrirjes lindore, herë pas here të kemi momente të pakta me pika shiu. Temperaturat e ajrit gjatë të dielës të kenë një rënie të lehtë të tyre, duke bërë që maksimumet të zbresin rreth vlerës 25 gradë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë