Kombetarja

Jashtë edhe Eros Grezda, trajneri Reja thërret Lorenc Trashin

Ndryshon sërish lista e futbollistëve të Kombëtares për dy ndeshjet e radhës në grup me Islandën dhe me Moldavinë. Një tjetër “firo” e madhe nga radhët e kuqezinjve: Eros Grezda nuk do të jetë pjesë e grupit për këto dy ndeshje, siç bën me dije FSHF me një njoftim të fundit zyrtar në faqen e saj. Në njoftim thuhet vetëm se Grezda do të mungojë për arsye personale. Nuk është e qartë, nëse bëhet fjalë për ndonjë dëmtim të këtij futbollisti, apo për ndonjë problem tjetër.

Trajneri Edi Reja ka thirrur ndërkohë Lorenc Trashin, i cili ishte pjesë e grupit në stërvitje gjatë ditëve të para, por mbeti jashtë listës zyrtare të italianit. Me ndryshimet e fundit, ku për shkak dëmtimi nuk ka ardhur në skuadër Egzon Binaku, trajneri Reja ka menduar të thërrasë lojtarin e Partizanit për krahun e majtë. Përveç Grezdës, që është një mungesë e madhe për kuqezinjtë në këto dy ndeshje, jashtë kanë mbetur edhe Ledian Memushaj, i cili do të operohet, dhe i riu Marash Kumbulla. Me mungesën e lojtarit të Gllasgou Rejnxhërs, pakësohen alternativat për sulmin, por trajneri Reja e ka theksuar gjithmonë se do të luajë me dy sulmues dhe ndoshta kjo mungesë nuk do të ndihet shumë.

Lorenc Trashi me Kombëtaren

“Ka ndryshime në listën e Kombëtares A për dy ndeshjet zyrtare ndaj Islandës në transfertë më 8 qershor dhe Moldavisë në “Elbasan Arena” më 11 qershor. Eros Grezda nuk do të jetë pjesë e skuadrës për dy ndeshjet e radhës për arsye personale. Trajneri Reja ka thërritur në skuadër Lorenc Trashin nga Partizani, që do të bashkohet me grupin në ndeshjen e sotme në “Elbasan Arena”, ku kuqezinjtë do të luajnë ndaj U-21-shit të drejtuar nga Alban Bushi”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të FSHF-së për ndryshimet e fundit në Kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë