Treg

Janari solli 30% më shumë turistë të huaj. Në rritje vizitorët nga Italia, Polonia dhe Spanja

Nga Gazeta ‘Si’- Viti 2024 nisi me rritje të flukseve hyrëse turistike drejt Shqipërisë.

Gjatë janarit, në vendin tonë erdhën 489.599 turistë të huaj ose 30% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në krye të listës renditen shtetasit e Kosovës, me 215 mijë vizitorë ose rreth 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare.

Ata ndiqen nga vizitorët italianë të cilët kanë qenë 53 mijë ose 50.4% më shumë, ndërsa të tretët renditen vizitorët e Malit të Zi me 52.662 hyrje ose 32.6% krahasuar me janarin e vitit të mëparshëm.

Po ashtu, ndër grupet me rritjen më të lartë të hyrjeve turistike në krahasim me një vit më parë, renditen hyrjet nga Polonia me një rritje 411%, Rumania me mbi 120%, Spanja me rritje 104%.

Prurjet nga Polonia kanë qenë gjithmonë të larta dhe vizitorët vijnë përmes turizmit të organizuar me charter ndërsa turistët nga Spanja janë katërfishuar dy vitet e fundit për shkak të hapjes së linjave direkte të fluturimit.

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro e ka cilësuar vitin 2024 si një sfidë e përgjegjësi të madhe për të përballuar me sukses flukset e shtuara turistike. 2023-shi deri tani konsiderohet si viti më i mirë i turizmit në Shqipëri gjatë të cilit erdhën 10 milionë turistë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë