Jambo, një librar antikuarësh që jeton në Milano, ka pësuar një goditje cerebrale dhe jeton në mjegull. Humbja e kujtesës së tij është e çuditshme - ai mund të kujtojë përmbajtjen e çdo libri që ka lexuar, çdo varg poezie, por ai nuk di më emrin e vet, nuk e njeh gruan e vajzat e tij, dhe nuk i kujtohet asgjë nga fëmijëria. Në përpjekje për t’u rimëkëmbur, gruaja e bind që të kthehet në shtëpinë e familjes ku është rritur, diku në kodrat midis Milanos dhe Torinos. Atje, në papafingon e shtëpisë, ai kërkon e gjen nëpër kuti gazeta të vjetra, libra vizatimorë, disqe muzikore, albume fotografish dhe ditarë të adoleshencës.
Dhe kështu Jambo nis e rrëfen historinë e brezit të tij: nga himni fashist “Giovinezza” te Musolini, nga edukimi katolik me ndjenjën e fajit tek autorët e preferuar Salgari etj., aktoret e famshme dhe hartimet e shkollës. Jeta që garon para syve të tij merr formën e një romani grafik. Jambo lufton përmes boshllëqeve të kujtesës për të kapur një imazh të thjeshtë dhe të pafajshëm: atë të dashurisë së tij të parë dhe për të rijetuar gjurmët e një përvoje të rëndë personale në vitet e Rezistencës.
Ideja e jetës, kufijtë dhe perspektivat e saj, janë rrëfyer në këtë roman përmes kujtimeve. Ky është një libër që të bën të mendosh e kuptosh se si automatizmi i ekzistencës i ka kthyer edhe gjërat më të rëndësishme në jetë, si të mirëqena. Dhe personazhit i duhet të humbë kujtesën që të rizbulojë botën! Një roman ku Eco, si kurrë më parë, hyn thellësisht në misterin e shpirtit njerëzor.“Flaka misterioze e mbretëreshës Loana” është romani i pestë i Eco-s, botuar më 2004-ën nga Bompiani, ndërsa ka ardhur për lexuesin shqiptar me përkthimin e Diana Çulit, botuar nga shtëpia botuese DITURIA. Ky roman edhe pse i ilustruar me ngjyra, sundohet nga mjegulla. Në mjegull zgjohet edhe Jambo, pas një aksidenti që e bëri të humbasë kujtesën. Duke e shoqëruar në rikuperimin e ngadaltë të vetes.
Në një recencë botuar vite më parë, shkrimtarja dhe kritikja britanike Stephanie Merritt shprehej e befasuar nga romani “Flaka misterioze e Mbretëreshës Loana”, ku autori, sipas saj, bën një shqyrtim të errët të lidhjes mes ëndrrave dhe realitetit. “Neuroshkenca është bërë për romancierët bashkëkohorë ajo çka psikanaliza ishte për brezin e mëparshëm – një ndarje e eksplorimit në shqetësimet elementare të romanit: vetëdija, identiteti, kujtesa, vendi i vetes.”, shkruan Merritt, ndërsa shton se Eco e lë shpejt pas shkencën dhe lëviz drejt një terreni më familjar të historisë dhe letërsisë.
Amnezia, sipas kritikes britanike, vjen si pretekst për analizën sesi narrativa e vetes krijohet duke redaktuar apo trilluar kujtime, është një figurë e përdorur shpesh në letërsi dhe film, por Eco-ja e humanizon plotësisht ankthin e Jambos në cilësinë ëndërrimtare të jetës së tij. Në pjesën e parë të romanit kjo është realizuar bukur në takimet e tij me asistenten e bukur, Sibilën. Miku i tij ka bërë një koment tinëzar, por jo specifik rreth saj dhe tani Jambo nuk ia ka idenë e marrëdhënies së tyre të mëparshme. A kanë pasur një lidhje apo ai dikur ishte i shastisur pas saj apo e kishte admiruar nga largësia, ndërsa ruante paraqitjen profesionale apo nuk ishte asnjëra nga këto?Dilema e tij është agonizuese dhe thekson natyrën fiktive të dashurisë në kohët më të mira. “Pjesa më e mirë e idesë se ke dashuruar, i thashë vetes, është kujtesa se ke dashuruar. Por të mendosh se ke dashur e të mos jesh në gjendje ta kujtosh?”
Një nga historitë për fëmijë që kujton Jamboja është ajo e Zotit Pipino, “i lindur plak dhe vdekur ‘bambino’”. Vetë Jambo ka lindur tabula rasa, në moshën 60-vjeçare, dhe duhet të ndjekë rrjedhën e jetës së prapthi, nëse do të kuptojë kush ka qenë.
Një nga historitë për fëmijë që kujton Jamboja është ajo e Zotit Pipino, “i lindur plak dhe vdekur ‘bambino’”. Vetë Jambo ka lindur tabula rasa, në moshën 60-vjeçare, dhe duhet të ndjekë rrjedhën e jetës së prapthi, nëse do të kuptojë kush ka qenë. Seksioni i tij i gjatë është reminishent i shmangieve historike të Eco-s në librat e tjerë, megjithëse duket sikur është gjarpërues dhe pa subjekt, shpesh në dukje si një katalog i leximeve të djalërisë, së autorit.
Por ia vlen ngulmimi në këtë seksion dhe jo vetëm për tablonë e detajuar të Brigadave të Zeza me kryengritjen partizane, mendon kritikja. Përfundon me një zbulim tjetër tronditës që precipiton në një sulm të dytë; brenda komës së tij, kujtesa rikthehet dhe të gjitha gjurmët formohen në seksionin final në një narrativë imponuese të heroizmit të kohës së luftës dhe dashurisë së parë. Në fund, ky ngut i kujtesës bëhet fantazmagorik, në të cilën të gjitha faktet dhe trillet i duken atij si një vallëzim i Busby Berkeley –it në hiper-realitet, duke kulmuar në një tmerr, për të cilin lexuesi është i papërgatitur.
Me gjithë ilustrimet e gjalla është një roman rrjedh mjegullës me vegim të errët. Ajo që nis me shkencën më të përparuar të mendjes përfundon me jehona të paramenduara të pyetjeve të Calderón de la Barca –s rreth ëndrrave dhe realitetit dhe pohon Eco-n si një shkrimtar të jashtëzakonshëm të filozofisë, maskuar si trill letrar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.