Nga Gazeta 'Si'- Demokrati Ervin Salianji, u ka dërguar një letër nga burgu i Fierit ambasadave perëndimore në Tiranë dhe eurodeputetëve në Parlamentin Europian.
Në letër Salianji shprehet se është burgosur politikisht dhe se është i pari që dënohet për kallëzim të rremë pa bërë denoncim në polici. Ai tregon dhe versionin e tij sesi është dënuar për shpifje.
“Procesi i falsifikuar dhe dënimi pa ligj vetëm se denoncova një trafikant ndërkombëtar droge të dënuar në Itali me vendim të formës së prerë pas një operacioni të DEA-s! Vendim që ka krijuar një precedent të rrezikshëm që hedh në tokë gjithçka ky vend ka mundur të arrijë me shumë veshtirësi në këto 34 vite”, shkruan ish-deputeti i PD-së.
Ai thekson se “Jam i sigurt se procesi kundër meje jo për shkak të ndonjë abuzimi, nuk kam pasur kurrë në administrim fonde pubike dhe i jam bashkuar Partisë Demokratike në opozitë, nuk ka shans të ndodhë në asnjerin nga vendet tuaja të origjinës. Ndodh vetëm në letrat e Kafkës”.
Ervin Salianji thekson se ka kaluar 1 muaji nga dhënia e vendimit të Apelit për dënimin e tij me 1 vit burg dhe ende nuk është zbardhur, duke theksuar se nuk ka mundësi të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.
“Sipas prokurorisë, akuzohem për kallëzim të rremë. Ndërkohë dua t’ju vë në dijeni, se unë nuk kam bërë kallëzim penal por denoncim publik nga selia e Partisë Demokratike në cilësinë e deputetit dhe Sekretarit të Aksionit Qytetar, pozicion ky që mbulonte kryesisht ankesat që adresoheshin nga qytetarët në selinë e PD”, shprehet ish-deputeti demokrat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.