Kosova

Jakup Krasniqi, i pari që foli me uniformën e UÇK…

Vitet e fundit iu përkushtua librit. Qëndroi në heshtje pas viteve të gjata në politikë dhe ato nën armë.

Një post më shumë honorifik në partinë e Fatmir Limajt, dhe larg politikës aktive e zhvillimeve të vrullshme brenda dhe rreth Kosovës

Por mëngjesi i kësaj të mërkure të parë nëntori e riktheu atë me historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Konfirmimi në heshtje i aktakuzës së Speciales për krime lufte dhe pas bastisjes së shtëpisë nga forcat e EULEX për më shumë se 10 orë, e nisën me urgjencë në Hagë.

Jakup Krasniqi, ish zëdhënës i UÇK-së dhe ish kryeparlamentar i Kosovës bëhet politikani më i lartë që provoi prangat në lidhje me hetimin dhe gjykimin e ri që do të bëjë Gjykata Speciale e Hagës për ish drejtuesit e UÇK-së, ndaj të cilëve ka ngritur shumë akuza.

Ai që për ironinë e fatit tre nga librat e tij i shkroi për lirinë, sot ndodhet në paraburgimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Jakup Krasniqi nuk është më aktiv në politikë, por në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po.

Fillimisht si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, ai ish i pari që foli publikisht me uniformën e UÇK si zëdhënës i kësaj lëvizje për çlirim gjatë viteve ‘98-‘99.

Krasniqi nuk është gjithashtu një personazh tangent në historinë politike të Kosovës.

I burgosur politik për tetë vjet, i angazhuar më pas me funksione drejtuese tek LDK, Jakup Krasniqi ish pjesë e delegacionit të Kosovës në konferencën e Rambujesë, në Francë, dhe një zë  aktiv më pas te PDK ku qëndroi deri në 2014-ën.  

Këtu e 13 vjet me parë, Krasniqi u zgjodh në krye të Kuvendit të Kosovës.

Do vite më vonë, pas përplasjesh politike brenda PDK, Krasniqi i bashkohet lëvizjes së Fatmir Limajt duke mbajtur aty një pozicion drejtues si kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate e Kosovës.

Në korrik të 2019-ës, ai pranoi të intervistohet nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Jakup Krasniqi ka qenë i hapur me drejtësinë.

Por nuk u kursye nga EULEX kur i bastisën shtëpinë e tij në Prishtinë qysh në orën 6:30 të mëngjesit e deri mbasdite. Operacioni u zhvillua edhe në vendlindjen e tij, në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit.

Jakup Krasniqi ka mbrojtur gjithnjë idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Ai refuzoi të dekorohej nga presidenti, Hashim Thaçi, si një nga deputetët që shpallën pavarësinë e Kosovës.

Krasniqi kundërshtoi marrëveshjen e 13 prillit 2013 e arritur në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.

Ai nuk ishte dakord as me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Jakup Krasniqi ishte kundër formimit të Gjykatës Speciale duke fajësuar direkt Hashim Thaçin. “Ai opinionit publik të Kosovës ia ka borxh që t’ia tregojë arsyet e vërteta...”.

Krasniqi nuk mori asnjëherë përgjigje.

Por, ai parashikoi fort gjëra me ngritjen e kësaj gjykate; “Tash është koha që Kosova të fillojë t’i shoh frytet e saja më shumë se të hidhura për të ardhmen e saj dhe qytetarëve të saj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë