Kosova

Izraeli heq vizat për qytetarët e Kosovës

Nga Gazeta 'SI' - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar të hënën se Izraeli ka vendosur t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës, duke ua mundësuar atyre udhëtimin lirshëm drejt vendit të Lindjes së Mesme për qëllime turistike.

Presidenca e Kosovës tha në një komunikatë se Osmani u njoftua për vendimin e Izraelit nga ambasadorja izraelite në Prishtinë, Tamar Ziv, gjatë një takimi të hënën.

Ky vendim i Izraelit – i cili është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës para rreth tri vjetëve, do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike”, thuhet në njoftim.

Në takim, sipas komunikatës, u diskutua edhe për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, si dhe për marrëveshjet ndërshtetërore në fusha të ndryshme të cilat pritet të nënshkruhen së shpejti.

Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë