Atletike

Izmir Smajlaj, medalje e artë për Shqipërinë në Ballkaniadën e Stambollit

Izmir Smajlaj, atleti shqiptar i kërcimit së gjati, është shpallur sot kampion në Ballkaniadën e sallave të mbyllura në Stamboll. Shkodrani ka zënë vendin e parë në disiplinën e tij, duke kërcyer 7.91 metra. Një nisje shumë e mirë e sezonit kjo për Smajlajn.

“Një garë e vështirë, me konkurrues nga 21 shtete ballkanike dhe jo vetëm. I lumtur për rezultatin prej 7.91 m dhe vendin e parë në këtë kompeticion të rëndësishëm dimëror. Falënderime të veçanta për trajnerin tim të palodhur, z.Gjergj Ruli, familjen time, Ks Tiranën, Bashkinë e Tiranës, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), FSHA-në dhe të gjithë ju mbështetës të sportit të bukur të atletikës!”, - shkruan atleti shkodran në faqen e tij në Facebook.

Izmir Smajlaj dhe trajneri i tij, Gjergj Ruli. Gazeta Si, 20 shkurt 2021

Në këtë Ballkaniadë do të garojë për Shqipërinë edhe Franko Burraj, edhe ai shkodran. Burraj synon të fitojë medaljen e artë në garën e 400 metrave. Atletika shqiptare mund të kthehet kampione e dyfishtë nga Turqia, nëse edhe Burraj imiton Smajlajn.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë