Kombetarja

Italia një sfidë familjare për kuqezinjtë, 7 titullarë vijnë nga Seria A

Gazeta Si - Shqipëria e nis Europianin gjerman më 15 qershor, një ditë pas ceremonisë së hapjes së tij. Sfidon një emër të madh si Italia, kampione në fuqi e Europës. Një kundërshtar që për shumicën e kuqezinjve në fakt është shumë familjar.

Sepse 2/3-at e formacionit të Kombëtares shqiptare përbëhet nga lojtarë që luajnë në Serinë A, disa madje me klubet më të njohura të kampionatit italian, një nga 5 më të fortët në Europë. Janë plot 7 lojtarë ‘italianë’, te të cilët mbështetet trajneri Silvinjo.

Gjithë linja mbrojtëse e Kombëtares vjen nga Italia. Etrit Berisha mbron portën e Empolit. Me këtë ekip aktivizohet edhe mbrojtësi Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti luan për Atalantën dhe Elseid Hysaj me Lacion. Blloku mbrojtës i kuqezinjve kompletohet me Kristjan Asllanin e Interit dhe Ylber Ramadanin e Leçes të kërkuar nga Interi.

‘Përjashtim’ është vetëm Nedim Bajrami, lojtar që luan më shumë në sulm dhe në Itali vesh fanellën e Sasuolos. Pjesë e kolonisë shqiptare të Serisë A është edhe Marash Kumbulla, që luan për Romën por që sapo është rikthyer nga një dëmtim i rëndë.

Nëse lojtarët do të jenë në gjendjen aktuale edhe në qershor, patjetër që trajneri Silvinjo do të mbështetet te blloku ‘italian’. Katër lojtarët e formacionit kuqezi që nuk luajnë në Itali janë mbrojtësi Mario Mitaj, si dhe tre sulmuesit Jasir Asani, Taulant Seferi dhe Sokol Cikalleshi.

Do të jetë vërtet një sfidë familjare ajo e 15 qershorit për shumë nga kuqezinjtë. Kristjan Asllani për shembull, do të ketë kundërshtarë për 90 minutë shokë ekipi, si Bastoni, Açerbi, Dimarko, Barela dhe Fratezi. Hysaj do të ketë kundër Xakanjin, Kazalen apo ndonjë tjetër, ndërsa kapiteni Gjimshiti do të ketë kundër Skamakën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë