Sociale

Italia ndihmon Shqipërinë me një ekip mjekësor

Këtë të enjte kanë mbërritur një ekip mjekësh dhe infermierësh nga Italia të cilët do të ndihmojnë Shqipërinë në këto momente të vështira të përballjes me Covid19.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci kanë pritur në Aeroportin “Nënë Tereza” delegacionin Italian, i cili do të ofrojë eksperiencën e vyer për vendin tonë.
"Kur disa muaj më parë ju gjendëm pranë Italisë mike në një moment tejet të vështirë, nuk e kishim menduar se do të na e kthenit ndihmën kaq shpejt. Ishte një gjest solidar që erdhi natyrshëm dhe jam shumë e kënaqur që sot na gjendeni pranë në një moment të vështirë për ne, ku eksperienca që ju keni fituar do të jetë mjaft e vlefshme për ne dhe për sistemin tonë shëndetësor. Kjo pandemi na ka mësuar se lufta nuk fitohet i vetëm, por vetëm me solidaritet mes vendeve” tha Manastirliu.
Ambasadori i Italisë në Shqipëri deklaroi se ky është një gjest për një vend mik, i cili ju gjend pranë Italisë në një moment shumë të vështirë.
“Qeveria italiane është shumë e lumtur që po ndihmon Shqipërinë, pas gjestit të madh që bëri Shqipëria për Italinë në muajin Mars. Edhe Italia nuk I harron miqtë në nevojë”, tha Ambasadori Italian.
Ekipi përbëhet nga një mjek urgjence, një anestezist, një funksionar i Emergjencave Civile të Qarkut të Puglia-s, një mjek dhe një infermier urgjence i Qarkut të Lombardisë, një mjek infeksionist i Qarkut të Lazio-s dhe nga një infermiere urgjence e Qarkut të Piemontes, e cila është nga Shqipëria. Krahas grupit të mjekëve dhe të infermierëve në Aeroportin e Rinasit ka mbërritur edhe një sasi prej 500.000 maskash kirurgjikale në ndihmë të vendit tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë