Kosova

Italia hedh poshtë ndryshimin e kufijve në Ballkan: Do kthehemi 30 vite pas në kohë

Ministri i jashtëm italian Luigi di Maoi ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë zyrtare në Kosovë. Pas takimit me ministren e  Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, ministri i Jashtëm italian ka marrë pjesë në seancën plenare në Kuvendin e Kosovë. Duke folur nga foltorja, Di Maio, ka thënë se vendi i tij hedh poshtë me vendosmëri absolute diskutimet për ndryshime kufijsh në rajonin e Ballkanit.

Sipas tij, diskutimet për ndryshim kufijsh janë provokime dhe thirrje okulte. “Vetëm një perspektivë konkrete evropiane është në gjendje të shfuqizojë rifillimin e nacionalizimit dhe aventurizmin e caktuar politik, që do të donte të kthente Ballkanin 30 vjet pas”.

Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të punojë në kthimin e besueshmërisë në politikën e zgjerimit.

Di Maio ka thënë mes tjerash se Italia është e interesuar që Ballkani Perëndimor të ketë ekonomi të qëndrueshme, në mënyrë që rajoni të stabilizohet në aspektin e sigurisë, duke përmendur anëtarësimin në NATO për vendet aspirante.

Ai ka thënë po ashtu se Europa të përfundojë procesin e ribashkimit. “Europa nuk mund të thotë se është e bashkuar në një çati, për aq kohë sa Ballkani Perëndimor nuk është pjesë e Bashkimit Europian”, tha ministri.

Di Maio ka përmendur edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se është e nevojshme që në Ballkan të mbyllen të gjitha çështjet e hapura mes vendeve fqinje.

Ai ka inkurajuar politikanët nga të dyja shtetet që të çojnë përpara procesin e dialogut, duke thënë se Kosova nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga ky proces, pasi pavarësia dhe sovraniteti i saj territorial nuk janë në diskutim.

Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, është me rëndësi historike. "Që të mund të shikoni përpara, nevojitet një vizion politik dhe forcë për të bërë gjeste konkrete pajtimi. Mbi të gjitha identifikimi i personave të pagjetur gjatë konflikteve të mëparshme dhe kthimi i mbetjeve te familjet e tyre, janë një domosdoshmëri morale dhe akt urgjent për kthimin e dinjitetit për viktimat”, ka deklaruar ai.

Para fjalës së ministrit italian, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Kosova është e hapur për takime dhe dialog, me synim arritjen e njohjes së dyanshme.

“Kosova është sinqerisht e interesuar për gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi, por zgjidhje mund të jetë vetëm njohja e pavarësisë sonë, të cilën e njohin shumica e shteteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 22 nga 27 vende anëtare të BE-së, 26 nga 30 vende anëtare të NATO-s, dhe në të gjitha këto, edhe Italia”.

Kurti ka thënë se njohja e Kosovës, e ndihmon edhe Serbinë, pasi, sipas tij, e çliron nga mentaliteti “sundues dhe spastrues të trashëguar nga Sllobodan Milloshevic”. Në fjalën e tij, Luigi di Maio theksoi se mbajtja e kontakteve dëshmon vullnetin për zhvillimin e marrëdhënieve mes vendeve dhe se ajo që ndodh në Kosovë ka pasoja në Europë.

“Ky dimension bashkëpunimi dypalësh së shpejti do të rritet. Në takimet e mia të sotme pata mundësinë të thelloj bashkëpunimin mes vendeve tona. Ju e dini mirë se mund të mbështeteni plotësisht tek Italia. Historia ka treguar se ajo që ndodh në këtë pjesë të kontinentit europian ka pasoja të menjëhershme në Europë dhe kjo kërkon pjesëmarrje aktive”, tha Di Maio.

Gjithashtu gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë, Italia dhe Kosova nënshkruan marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë sa i përket tatimit në të ardhura dhe parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë