Ngjarje

Itali / Kush ishte Anila Grishaj, 26-vjeçarja shqiptare që humbi jetën në fabrikë nga gabimi i një kolegeje

Tragjedia në provincën e Trevizos në Itali, dyshohet se u shkaktua nga një gabim njerëzor gjatë punës. E reja punonte në kompaninë “Bocon” që nga viti 2018 dhe ishte një menaxhere linje. Kolegia e saj është nën hetim me akuzën për “vrasje nga pakujdesia”

Gazeta Si - Anila Grishaj ishte 26 vjeçe dhe ishte pikë referimi për “Bocon”, kompaninë e njohur të ushqimeve të ngrira nga Pieve di Soligo, në provincën e Trevizos, Itali.

Në fakt, ajo kishte një vit që ishte drejtuese e linjës, deri të martën pasdite në orën 16:00, kur koka e saj ngeci në një makinë paketimi mallrash, duke i shtypur rruazat e qafës. Nuk mund të bëhej asgjë për të renë, pasi ajo humbi jetën në vend.

Hipoteza e gabimit

Nga hetimet e para, rezultoi se tragjedia ishte shkaktuar nga një gabim njerëzor. Sipas burimeve hetimore dhe konstatimeve të policisë, vajza ishte e angazhuar në disa kontrolle rreth një makinerie të re që e kishte çaktivizuar kur një koleg, pasi e kishte parë të fikur, e ka aktivizuar pa dashje, pa e kuptuar praninë e të shqiptares. Punonjësi tani është nën hetim për “vrasje nga pakujdesia”, ndërsa makina është sekuestruar.

Familja

Anila jetonte në Vergoman, një fshat i Mianës, së bashku me prindërit e saj, Agostin dhe Marjana Grishaj, motrën dhe vëllain e vogël.

Familja, e cila priste njëzet e gjashtë vjeçaren për darkë, e mori vesh lajmin e aksidentit nga lajmet, duke shkuar menjëherë para dyerve të kompanisë.

“Një vajzë bukuroshe me origjinë shqiptare, me flokë të gjata kaçurrela ngjyrë kafe dhe një buzëqeshje në fytyrë”, e përshkruan shtypi italian.

Ajo ishte shumë e lidhur me familjen e saj, me të cilën udhëtonte shpesh: një nga fotot e tyre të fundit të dukshme në rrjetet sociale, në fakt ishte realizuar para Koloseut në Romë.

Ajo ishte e apasionuar pas fotografisë dhe disa vite më parë kishte marrë pjesë në një konkurs kushtuar verës.

Anila kishte ndjekur institutin e turizmit në Valdobbiadene dhe në vitin 2018 u punësua nga “Bocon”, në një mjedis pune stimulues, ku mund të zhvillohej si profesionalisht, ashtu edhe si njeri.

Kompania

Pas aksidentit, kompania anuloi aktivitetin "Strada del Prosecco un museo diffuso”, që duhej të mbahej të enjten dhe qepenat e restorantit ngjitur me fabrikën do të qëndrojnë të mbyllura deri të hënën më 20 nëntor.

Të mërkurën në mëngjes, një mesazh ngushëllimi për vdekjen u publikua në faqen e “Bocon” në Facebook dhe punëdhënësit thanë se ishin gati për të sqaruar aksidentin: “Jemi thellësisht të pikëlluar dhe në mosbesim nga humbja shumë e rëndë që na ka goditur. Ishim shumë të lidhur me Anilën, e cila prej disa kohësh ishte pranë nesh dhe që vlerësohej shumë për cilësitë njerëzore dhe profesionale. Ne e dimë se dhimbja jonë nuk është asgjë në krahasim me atë që vuajnë prindërit e saj dhe ata më të afërt me të. Jemi në dispozicionin tuaj të plotë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë