Kombetarja

Ismajli kthehet në prill, mbrojtësi kuqezi i ka humbur miqësoret me Kilin dhe Suedinë

Gazeta Si – Në një përditësim të fundit në lidhje me dëmtimin e mbrojtësit Ardian Ismajli, klubi i Empolit shkruan se shpreson ta ketë gati lojtarin për ndeshjen e 1 prillit me Interin. Kjo do të thotë se futbollisti kuqezi ka humbur ndeshjen e radhës në Serinë kundër Bolonjës, por dhe dy miqësoret e Shqipërisë kundër Kilit dhe Suedisë.

Në komunikatën zyrtare të klubit italian saktësohet se Ismajli ka pësuar një tërheqje muskulore të gradës së ulët në kofshë. Rikuperimi duket se kërkon dy javë kohë dhe mbrojtësi do të jetë në luftë me kohën për të qenë në fushë ndaj Interit.

Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, duhet t’i bëjë llogaritë pa këtë futbollist në miqësoret e 22 dhe 25 marsit. Nuk është problem, sepse në fund të fundit janë ndeshje testuese dhe trajneri brazilian do të shohë më tepër alternativat. Rëndësi ka që Ismajli të jetë gati në qershor.

Në dy miqësoret e marsit Silvinjo mund të aktivizojë në qendër të mbrojtjes kapitenin Berat Gjimshiti, edhe pse ai vjen nga një ngarkesë e madhe fizike për shkak të ndeshjeve të shumta. Në vend të Imsjalit mund të luajnë Kumbulla, që ka nisur të aktivizohet me Sasuolon, por edhe Ajeti, Mihaj e Veseli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë