Kombetarja

Ismajli i bindur për fitore në Islandë: Kemi shanse për kualifikim

Në ditën e dytë të grumbullimit të kombëtares, para medieve ka dalë edhe mbrojtësi Ardian Ismaljli. I kthyer në një nga pikat më të forta të kombëtares kuqezi, Ismajli është shprehur shumë i kënaqur për atmosferën që mbizotëron në ekip në këtë grumbullim të parë me Edi Rejan trajner. Sipas mbrojtësit që luan në kampionatin kroat kjo ndeshje e parë me Islandën do të jetë vendimtare në lidhje me fatin e këtyre eliminatoreve për ekipin kuqezi.

Në fillim Ismajli iu përgjigj interesimit të gazetarëve në lidhje me përfaqësuesen e Kosovës, duke thënë se vijon të jetë i bindur dhe i kënaqur për zgjedhjen që ka bërë për të luajtur me Shqipërinë.

“Këtë pyetje ma kanë bërë edhe më parë. Por nuk e di pse e bëjnë, unë kam pasur mundësinë të luaj edhe për Kosovën, por zgjodha Shqipërinë.  Nuk ka asgjë, unë atje kam shumë miq dhe shok dhe ishalla ata kualifikohen edhe neve gjithashtu, ishalla rikuperojmë shumë formën shpejt dhe të rikthehemi tek sukseset.”

Sa i përket ekipit kundërshtar, për Ardian Ismajlin, Islanda nuk është më ajo që ka qenë para dy vitesh dhe se Shqipëria do të shkojë atje të bëjë më të mirën.

“Nëse arrijmë të marrim tre pikë në Islandën kemi shumë shanse, pasi e kemi Moldavinë në shtëpi sepse jemi pak më të fortë se ata dhe do arrinim në 9 pikë pas 4 ndeshjeve dhe do kishim shanse të mëdha për kualifikim. Varet dhe nga loja se si do të shkojë në këtë ndeshje të parë.”

Mbrojtësi i Hajduk Split tregoi ndër të tjera se ai ka studiuar lojtarët më të rrezikshëm të islandezëve dhe se për të nuk është problem të luajturit me tre apo me katër mbrojtës.

“Unë me thënë të drejtë kam parë shumë futboll dhe i njoh lojtarët, pasi edhe e kam për detyrim që t’i shoh sulmuesit dhe mesfushorët kundërshtar dhe kam parë disa nga videot e tyre. Me Islandën unë kam shpresë se do të marrim pikë. Ne do luajmë me katër, por për mua nuk ka asnjë problem, se kam luajtur edhe më tre mbrojtës”.

Në fund, 22-vjeçari ka folur edhe për merkaton, duke u shprehur se ka pasur disa oferta, por vetëm pas ndeshjeve të kombëtares do të vendosë.

“Mund të të them se ka pasur interesim, por tani për tani asgjë konkrete. Shpresoj të bëhet më e mira. Në fund pas ndeshjeve të kombëtares do ulemi me klubin dhe të shikojmë gjërat”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë