Libra

Ismail Kadare – shkrimtari dhe zoti i fillimit dhe fundit

Megjithëse libri ende nuk ka mbërritur në stendën e botimeve “Onufri” – do të vijë për lexuesin të premten e 16 nëntorit së bashku me shkrimtarin, në ceremoninë e përurimit -  kopertina e “Kur sunduesit grinden”, veprës së fundme të Ismail Kadaresë është e stampuar në një afishe gjigante, në qoshen e gjithhershme të botuesit të gjithhershëm të veprave të shkrimtarit me famë botërore, fitues i shumë çmimeve prestigjiozë ndërkombëtarë dhe shpesh i përfolur si kandidat për Nobelin e Letërsisë.
Kopertina, me sfond të bardhë dhe titullin me germa të mëdha shfaq kokën – ose më saktë dy kryet – e Janusit, statuja e të cilit gjendet shpesh e skalitur në porta, perëndisë romake që personifikon fillimet, kalimet, kohët, dynatyrshmërinë, portikët, shtigjet dhe…fundet. I portretizuar gjithnjë me dy fytyra, ai duket se sheh kah e shkuara dhe e ardhmja njëherazi.
Thuhet se muaji janar, muaji i ditëlindjes së shkrimtarit Ismail Kadare tashmë 82-vjeçar, e ka marrë emrin pikërisht nga ky perëndi që këqyrte mbi fillimet dhe fundet e një konflikti e për pasojë, të luftës e paqes…
“Kur sunduesit grinden” nuk është roman, por sprovë, filli i së cilës është një mister i telefonimit mes Stalinit dhe Boris Pasternakut. Udhëheqësi komunist përballë shkrimtarit të madh rus.
Në një intervistë të dhënë në dhjetor 2016, bashkëshortja e shkrimtarit Helena Kadare njoftoi se Kadare po shkruante një libër mbi Pasternakun.
Në korrik të 2018-ës, botuesi shqiptar i Kadaresë, Bujar Hudhri, njoftoi se në nëntor të atij viti do të botohej libri i tij më i ri me titull “Kur sunduesit grinden”.


Pasi shkrimtari bëri korrigjimet e nevojshme mbi versionet paraprake të botuara enkas ( nuk parapëlqen t’i bëjë redaktimet në kompjuter apo në dorëshkrime, porse në libra të mirëfilltë me kapakë të trashë), sprova që mbyll edhe ciklin e shkrimtarisë të një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të bashkëkohësisë. Një vepër përmes së cilës do të lexohen mesazhet e shkrimtarit për kohën që jetoi e shkroi.
Ky libër përfshin historinë e shkrimtarëve të mëdhenj që u kanë mbijetuar diktaturave, ndërsa diktatorët kanë vdekur e janë harruar…Ka zgjedhur të shohë me kryet e Janusit për nga Lindja, në diktaturën e Bashkimit Sovjetik. Më herët do të rrëfente se ishte vetë në Moskë asokohe, kur diktatura bolshevike e dënonte Pastërnakun…
Janusi ishte i gjithëpranishëm në ritet fetare, gjatë të gjithë vitit, si i tillë evokohej në fillim të çdo ceremonie, pavarësisht se cili perëndi kremtohej… Në Romën antike, Janusi nuk kishte tempull, por ishte në çdo portë, e cila çelej në kohë lufte dhe mbyllej për të shënjuar mbërritjen e paqes…Si zot i tranzicionit, Janusi ishte mbrojtës i lindjeve, por edhe i shtegtimeve. A e ka zgjedhur Janusin shkrimtari si për të përçuar një mesazh edhe përmes kopertinës, të mbylljes së ciklit të gjatë në letërsinë – jo vetëm shqipe, pasi vepra e tij i përket tashmë lexuesit botëror i përkthyer në dhjetëra gjuhë –duke qenë edhe vetë një prej shembujve, së cilës i ka kushtuar sprovën e fundme të jetës, ku emri i shkrimtarëve përjetësohet në histori?! Vetë shkrimtari do ta rrëfejë në ceremoninë e përurimit pasditen e 16 nëntorit, në Panairin e Librit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë